Interi bën detyrën ndaj Empolit, duke triumfuar me rezultatin 2-0 dhe duke u afruar edhe më shumë me titullin e 20 kampion në histori, që do të stamposte ne fanellë edhe yllin e dytë.
Zikaltrit vinin pas eliminimit nga Championsi dhe barazimit në shtëpi me Napolin, por ndërprerja dy javore e kampionatit rezultoi të ishte e mjaftueshme për të shëruar plagët dhe për t’u rikthyer te fitorja.
Sfida nisi menjëherë vrullshëm për Interin, që gjeti golin e avantazhit në minutën e 5-të me anë të Dimarcos, i cili u koordinua mjaft mirë mbi vijën e 16-shes dhe dërgoi topin në rrjetë.
Empoli provoi të mos lëshojë, por e kishte të vështirë të bënte diçka më shumë përballë Interit, që në minutën e 81-të gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me kilenin Alexis Sanchez, që shtyu në rrjetë topin pas një pasimi të saktë të Dumfries në zonë.
Pati minuta edhe për mesfushorin e kombëtares Shqiptare, Kristjan Asllani, që u aktivizua në të 69-ën në vendin e Calhanoglu dhe përveç menaxhimit të lojës, provoi edhe të gjejë golin me një goditje nga distanca, por u ndal nga portieri Caprile.
Me këtë fitore Interi ngjitet në kuotën e 79 pikëve, duke ruajtur distancën prej 14 pikësh me Milanin ndjekës, teksa titulli kampion duket një formalitet dhe vetëm matematika mban ende pezull hapjen e shampanjës./SuperSport/tch