Inter ka afruar edhe futbollistin e tretë në këtë merkato verore, i cili është mesfushori uruguajan, Matias vecino.
25 vjeçari është aktivizuar me Fiorentinën, që nga viti 2013, por këtë sezon ka zgjedhur t’i bashkohet zikaltërve, ashtu si edhe kapiteni i vjollcëve, Borja valero.
Zikaltrit dhe uruguajani kanë arritur marrëveshjen ëpr një kontratë katër vjeçare, me një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, ndërsa Fiorentina do të përfitojë 25 milionë euro, aq sa ishte parashikuar në klauzolën e largimit.
Drejtuesit e Interit kanë rezervuar për ditën e martë, vizitat e mesfushorit dhe nëse çdo gjë kalon me sukses, Vecino bëhet zyrtarisht zikaltër.
25 vjeçari duket se do të jetë mesfushori i fundit që i bashkohet zikaltërve në këtë merkato, pas dështimit për të afruar Nainggolan dhe Arturo Vidal.
Mbrojtja dhe sulmi, janë repartet ku drejtuesit e Interit pritet të afrojnë të tjerë futbollistë, ndërsa po këtë javë mund të zyrtarizohet edhe mbrojtësi brazilian Dalbert, ndërsa po negociohet edhe me Lazion, për sulmuesin Keita Balde.
Sa i përket merkatos në dalje, zikaltrit janë ende në pritje të akordit me Manchester United, për transferimin e Perisiç, çka do t’i hapte rrugën afrimit të një tjetër sulmuesi krahu.
Për Candrevan ka një interes real nga Chelsea, ndërsa Ranochia, Santon, Nagatomo, Medel, Jovetiç, Brozoviç, Murillo, Biabiany dhe Gabriel Barbosa, janë me valixhet gati, n pritje për t’u njohur me destinacionin e tyre të ardhshëm.