Institutit EdGuard, reagon rreth vendimit të Kryeministrit për shkarkim të organeve udheheqëse të AKA -s

E publikuar: 26/09/2017 12:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti EdGuard ka vështruar me kujdes vendimin e Kryeministrit për shkarkim të organeve udhëheqëse të Agjensionit Kosovar të Akreditimit (AKA), shkruan infosot.

“Duke qenë që kemi hulumtuar këtë proces për tashmë gjashtë muaj, mund të përfundojmë që vendimi i Kryeministrit nuk është për tu konsideruar i befasishëm. Është shqetësues mungesa e argumentimit për një vendim të tillë, dhe rëndësisë që kjo të bëhet publike sa më parë.

Rikujtojmë që mungesa e transparencës gjatë procesit të akreditimit, ka mundësuar që për opinion të vihen publike vetëm vendimet finale, dhe asnjëherë procesi i verifikimit. Në veçanti është shqetësues akreditimi i kolegjeve private duke u bazuar në plotësim të kushtit të profesorëve të rregullt të deklaruar, ku pot e njëjtit janë të angazhuar në institucione tjera. Ky anashkalim i “rastësishëm” i më se 80 rasteve të tilla, e që paraqet kriterin kyç për akreditim, paraqet shqetësim serioz për kredibilitetin e vendimeve të
fundit të marra nga AKA.
Të thirrurit e agjensionit në mbyllje të programeve, në të shumtën e rasteve kanë qenë të përkohshme, më shumë si periudhe shitblerjesh të profesorëve, me shumicën e programeve të rikthyera në ndërkohë.
Është paradoksale të thirret për ruajtje të pavarësisë të institucionit, kur i gjithë mekanizmi udhëheqës i agjensionit është i emëruar politikisht.

Funksionimi i AKA-së nuk paraqet diçka më ndryshe sesa në institucionet e tjera të pavarura në vend. Instituti EdGuard shpreson që vendimi i marr për shkarkim ka për bazë shkeljet e bërë nga AKA, dhe asnjëherë i ndikuar nga interesa të ngushta politike. Matës të përkushtimit qeveritar për ndryshim të gjendjes në AKA do të jenë të përzgjedhurit e organeve të reja udhëheqëse të këtij institucioni.

Instituti EdGuard avokon në vazhdimësi që procesi i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend të bëhet nga agjensione kredibile ndërkombëtare të akreditimit, si mundësi e vetme e filtrimit dhe krijimit të institucioneve cilësorë të arsimit të lartë ne vend”, thuhet në reagim .