Instituti Sizmologjik jep detaje për tërmetin në Kosovë

E publikuar: 04/01/2018 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tërmeti ka goditur paraditen e sotme disa qytete të Kosovës, përfshirë edhe kryeqytetin.

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa ka thënë se epiqendra e këtij tërmeti prej 5,2 shkallë të Rihterit ishte në Mal të Zi.

Në ndërkohë, duke u bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Divizionit Sizmologjik të Kosovës ka dhënë detaje lidhur me tërmetin që është ndjerë sot në shumë qytete të vendit.

“Në ora 11:54 sipas kohës lokale, vendi ynë është lëkundur nga një tërmet që ka goditur Malin e zi me magnitude 5.2 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet VII ballë të Merkalit, dhe është përcjell me disa tërmete (Pasgoditje) me intensitet më të ulët 2.8-4 shkallë Rihter”, thuhet në komunikatën për media.

Epiqendra e këtij tërmeti ishte 64 km në lindje të Podgoricës, 24 km Perëndim të Pejës, respektivisht në koordinatat : 42.62 (latituda) dhe 19.96 (longituda) ndërsa thellësia hipoqendrore ishte 10 km.

Për shkak të thellësisë së përfillshme të vatrës së tij, tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Dukagjinit dhe tërë Kosovës.

Deri më tani, Rrjeti Sizmik nuk posedon të dhëna lidhur me dëmtimet eventuale në zonën epiqendrore.

Tërmet ka pasur edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë si dhe është ndjerë shumë edhe në pjesë veriore të Shqipërisë.

Por dridhje toke ka pasur edhe në Maqedoni, më saktësisht në Tetovë dhe Shkup/lajmi.net/