Mitrovicë – Pasi e ka pranuar se në cilësinë e inspektorit të ATK-së ka marrë 130 euro ryshfet, Qazim Mustafa është dënuar me tetë muaj burgim, 1 mijë euro gjobë dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratë për një vit.
Aktgjykimi dënues ndaj Mustafës është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Hajraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mustafa obligohet që gjobën në shumë prej 1 mijë euro ta paguajë pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjithashtu, ai obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, 30 euro për shpenzime procedurale dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Në seancën gjyqësore të mbajtur po sot, palët paraqitën fjalën përfundimtare në formë të shkruar.
Prokurorja Fetije Bajrami deklaroi se mbetët në tërësi pranë aktakuzës, dhe se pas administrimit të provave dhe pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit është vërtetuar kryerja e veprës penale.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Qazim Mustafa, avokati Avdi Dinaj i propozoi gjykatës që si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit, pendimi i të pandehurit për kryerjen e veprës penale, sjellja e të pandehurit gjatë gjithë procedurës penale, fakti që nuk është i dënuar më parë, statusi familjar si dhe gjendja e rëndë shëndetësore e tij.
Ai i propozoi gjykatës që dënimi për të pandehurin të jetë nën minimumin e dënimit të paraparë, duke konsideruar se me një dënim të tillë do të arrihet qëllimi i dënimit.
Ndryshe, i akuzuar në këtë rast kishte qenë edhe Safet Smajoviq, ndaj të cilit ishte veçuar procedura penale pas pranimit të fajësisë për dhënie të ryshfetit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Qazim Mustafa po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, më 24 prill 2024, në orën 11:00, në parkingun e Terminalit Doganor në Mitrovicë, ka keqpërdorë detyrën zyrtare duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës ka pranuar dhuratë për vete.
Mustafa në cilësinë e inspektorit të ATK-së, thuhet se ka pranuar dhuratë për vete, dhe atë shumën në vlerë prej 130 euro, të cilat i janë gjetur në xhepin e djathtë të palltos, të cilat para janë sekuestruar nga ana e policisë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Safet Smajoviq akuzohet se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të aktakuzës në formë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar, në atë mënyrë që ai të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Në aktakuzë, thuhet se Smajoviq derisa ka qenë në Terminalin Doganor në Mitrovicë, me kamionin e tij, me qëllim të lehtësimit të procedurave për lirimin e mallit, i kishte dhënë 130 euro të pandehurit Qazim Mustafa.
Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Smajoviq ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.