Inspektorati i Tregut thotë se IPKO mashtroi klientët, e paditë “për kushte të padrejta” dhe “shkelje ndaj konsumatorëve” (Dokument)

E publikuar: 28/09/2021 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Operatori i telefonisë mobile IPKO është paditur nga Inspektorati i Tregut për mashtrim dhe shkelje ndaj konsumatorëve.

Inicimi i procedurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë është bërë pas pranimit të 180 ankesave të qytetarëve në Inspektorat.

Gazeta Infokus ka siguruar padinë ndaj këtij operatori në të cilën shpjegohen edhe arsyet pse është kërkuar fillimi i procedurës për kundërvajtje.

“Duke u bazuar në nenin 9, paragrafin 1, pika 1.3, të Ligjit nr. 03/L-181 për Inspektoratin dhe mbikëqyrjen e Tregut, inspektorët e tregut kanë realizuar inspektim tek operatori ekonomik, ku kanë analizuar dokumentacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik, ankesat e konsumatorëve, provat materiale dhe në bazë të këtyre dëshmive ka rezultuar se operatori ekonomik ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve”, thuhet në padinë e Inspektoratit.

Madje sipas kësaj padie IPKO (që është me pronarë sllovenë) ka reklamë mashtruese për klientët/konsumatorët duke promovuar shërbime të cilat nuk i ofron ose ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojë.

“(IPKO) Ka vendosur kushte të padrejta në kontratë duke e kushtëzuar klientin/ konsumatorin që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, klienti/ konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur, edhe pse i njëjti nuk ka mundësi të shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën”, thuhet mes tjerash në padi.

Padia është incizuar me datën 23 shtator në Gjykatën Themelor në Prishtinë.