Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës, ka realizuar sot një aksion të gjerë në rajonin e Pejës ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara.
Qëllimi i aksionit ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara dhe respektimi i standardeve teknike sipas ligjeve në fuqi në Kosovë.
Gjatë kontrollit në argjendaritë e Pejës dhe pas inspektimeve në bunkerët e fshehtë të arit, janë evidentuar shkelje të rëndësishme që kanë rezultuar në masat e mëposhtme:
Ndalim i përkohshëm i mallit – IQMT ndaloi mbi 20 kg ari, i cili ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Malli do të mbetet i bllokuar deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Sekuestrim i metaleve të çmuara – mbi 25 kg punime ari u sekuestruan pasi subjektet ekonomike nuk prezantuan dokumentacion të nevojshëm mbi prejardhjen e tyre.
IQMT thekson se tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim dhe dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe të ndëshkueshme.
Inspektorati paralajmëron se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Kosovës dhe ndaj çdo parregullsie do të ndërmerren masa rigoroze ligjore.



















