Inspektorati i jep të drejtë kryeshefit të shkarkuar të Telekomit, Istrefi: Militantët me shirita të kuq dështuan para ligjit

E publikuar: 27/05/2020 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati i Punës i ka dhënë të drejtë ankesës së kryeshefit të shkarkuar të Telekomit, Bedri Istrefi.

Në vendimin e nxjerrë nga Inspektoriati i Punës thuhet se Bordi duhet të anulojë vendimin dhe brenda 8 ditëve të eliminojë parregullsitë juridike të konstatuara.

E lidhur me këtë, Istrefi për lajmi.net ka thënë se vendimet politike nuk kanë bazë për t’u implementuar duke shtuar se “militantët me shirita të kuq, dështuan para ligjit”.

“Po është e vërtetë. Unë e komentoj se ashtu siç kam thënë më herët në deklaratat e mija se vendimet politike gjithmonë nuk kanë bazë ligjore për t’u implementuar. Edhe kësaj here, dëshmohet qartë se militantët me shirita të kuq, dështojnë para ligjit.”, tha Istrefi për lajmi.net.

Më tutje ai tha se nëse vendimi nuk zbatohet brenda 8 ditëve, atëherë fillojnë procedurat e gjobave dhe kallëzimeve penale ndaj palëve të përfshira.

“Tash e presim afatin kohor brenda 8 ditëve, nëse nuk zbatohet, sipas vendimit të Inspektoriatit atëherë fillon gjoba ndaj Institucionit dhe individit dhe në të njëjtën kohë, Inspektoriati krijon hapësirën për kallëzimin penal”, tha Istrefi për lajmi.net.

Vlen të theksohet se Istrefi është shkarkuar nga Bordi i përkohshëm i Telekomit i emëruar nga qeveria në detyrë e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.