Qeveria e Kosovës, ka zhvilluar mbi 30 takime me sindikatat, bën të ditur zëdhënësi Përparim Kryeziu, në një reagim të tij, ku thotë se mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë, meqë komunikim mes të dyjave ka pasur.
Ai mes tjerash thotë se veç arsyeshmërisë për mjetet shtesë, mungon edhe gatishmëria e sindikatave për të ecur përpara.
”Deri tani, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i stafit të kryeministri janë takuar të paktën dhjetë herë me kryetarin e BSPK, z. Atdhe Hykolli.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka mbajtur katër takime me përfaqësues të sindikatave, përfshirë BSPK.
Ministri i Shëndetësi, Rifat Latifi të paktën katër takime me përfaqësues të degëve sindikale, përfshirë BSPK.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pasur gjashtë takime me sindikatat e Policisë, Zjarrfikësve, Infermierëve e Arsimit.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberi Nagavci tetë herë është takuar me përfaqësuesit e SBAShK-ut.
Gjithsej janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave. Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”.