Duke shpërfillur rritjen e çmimeve dhe normën e lartë të inflacionit në Kosovë, kryeministri Albin Kurti sot ka dhënë një deklaratë joreale për situatën e krizës ekonomike ku ndodhet vendi.
Gjatë takimit që sot ka pasur me ministrin e jashtëm të Polonisë dhe kryesuesin e OSBE-së, Zbigniew Rau, Kurti ka folur për gatishmërinë e njerëzve që të shpenzojnë kur ata janë në situatë shprese, duke e ndërlidhur atë me Qeverinë e tij.
Deklarata e Kurtit vjen në një kohë të rëndë ekonomike për qytetarët dhe bizneset, me normën e inflacionit, sipas matjeve për muajin qershor nga ASK, prej 14.1 për qind.
“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksa”, citohet të ketë thënë Kurti, sipas njoftimit nga Kryeministria.
Kurti e ka njoftuar ministrin polak edhe për rritjen ekonomike 10.3 % të vitit 2021, tani kur jemi në gjysmën e dytë të vitit 2022, por s’ka folur asnjë fjalë për rritjen e çmimeve dhe shkallen enorme të inflacionit.
“Ai e njoftoi ministrin e jashtëm polak për progresin në një vit qeverisje, rritjen ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e investimeve të huaja direkte për 22 për qind, të hyrave tatimore për 54 për qind, rritjen e eksporteve për 83,6 për qind në fushat e procesimit të lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe të sektorit të teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit”, thuhet në njoftimin e ZKM-së, raporton Express.
Deri tani, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur ndonjë plan që t’i kundërvihet inflacionit në Kosovë, ndonëse çmimet në Kosovë shënojnë rritje të përditshme. Si pasojë e inflacionit, janë rritur të hyrat buxhetore për qeverinë, por janë varfëruar qytetarët, ndërkohë që TVSH-ja mbi produktet dhe akciza mbi karburantet mbetet e pandryshuar.
Deklarata të ngjashme, duke injoruar krizën ekonomike që vetëm sa po thellohet, janë dëgjuar edhe më parë nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Pak javë më parë, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas ekzekutimit të 100 eurove për punëtorët e sektorit privat, kishte thënë se kishte parë gjallëri në njërin prej marketeve në Kosovë.
“Sot, kesh në market dhe e pashë një gjallëri. Familjet që jetojnë me nga një pagë, e kanë vështirë me zënë muji-mujin. Pra pak i kemi ndihmuar. Këto janë për muaj”, kishte thënë Murati në emisionin “dPt te Fidani”.