Independent: Britania synon marrëveshje për emigrantët edhe me Kosovën
INSAJDERI
07 November 2024 – 21:16
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Mbretëria e Bashkuar synon që të arrijë marrëveshje me Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.
Kështu raporton media britanike “Independent” duke pasqyruar pjesëmarrjen e kryeministrit Keir Starmer në samitin e Komunitetit Politik Europian në Hungari.
“Ky nuk është Bashkimi Europian, dhe asnjë nga këto tre vende nuk është (ende) anëtar i BE-së, kështu që ai anashkalon akuzat konservatore se po përpiqet të ‘përmbys Brexit’”, lexohet në shkrimin e medias në fjalë, që në thelb analizon kthimin e Donald Trump në presidencën amerikane.
Këto marrëveshje synojnë të rrisin shkëmbimin e informacionit dhe ekspertizës për të goditur rrjetet kriminale të trafikimit, njoftoi qeveria britanike.
Nisma vjen përpara takimit të Komunitetit Politik Evropian, ku Starmer do të udhëheqë një diskutim mbi migracionin.
Kryeministri pritet të bëjë thirrje për veprime të koordinuara për të ulur numrin e viktimave në Kanalin Anglez për shkak të kalimeve të rrezikshme dhe të paligjshme me varka të vogla.
Gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Interpolit në Glasgow, Starmer theksoi se kriminaliteti i organizuar lidhur me migracionin duhet të trajtohet me të njëjtën rëndësi si terrorizmi.
Ai paralajmëroi se vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar do të jetë e mundur shkatërrimi i rrjeteve kriminale të trafikantëve që shfrytëzojnë migrantët.
Paketa e re prej 150 milion funtave, e shpallur të hënën, synon të ndalojë krizën e kalimeve ilegale, duke u bazuar në bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në lidhje me këtë, ministrja e Brendshme Yvette Cooper theksoi se bashkëpunimi me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë do të jetë vendimtar për të shpërbërë rrjetet kriminale dhe për të ndalur modelin e tyre të shfrytëzimit të njerëzve të pambrojtur për përfitime financiare.