Është publikuar Indeksi i ri i Pasaportave, që tregon se cilat janë pasaportat më të fuqishme në botë, pra ato që qytetarëve u mundësojnë të udhëtojnë në shumë vende bote pa pasur nevojë për vizë.
Kosova qëndron më keq se shumë shtete të Afrikës, si Nigeria, Kongo, Liberia e Burundi, apo të Azisë si India e Birmania.
Kosova është në nivelin e 85-të, bashkë me Korenë e Veriut, meqë banorët e të dy këtyre shteteve mund të udhëtojnë në 41 vende pa viza.
Si çdo vit, pasaportat më të vlefshme janë ato të shteteve të Evropës.
Në vendin e parë radhiten Gjermania e Suedia, qytetarët e të cilave shtete mund të udhëtojnë në 158 vende pa vizë, transmeton Telegrafi.
Në vendin e dytë (157 shtete) janë Finlanda, Franca, Zvicra, Spanja dhe Britania e Madhe.
Në vendin e tretë (156 shtete) janë Danimarka, Italia, Holanda, Belgjika, Koreja e Jugut dhe Norvegjia.
Në të katërtin (155 shtete) janë Singapori, Luksemburgu, Austria, Portugalia dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa, në të pestin (154 shtete) janë Greqia, Irlanda dhe Japonia.
Gjendja me pasaportat në shtetet e rajonit është kështu: Shqipëria (94 shtete pa vizë), Serbia (112), Kroacia (143), Maqedonia (107), Mali i Zi (103) dhe Bosnja e Hercegovina (98).
Pasaportat më të pavlefshme janë ato të: Sirisë (31), Somalisë (31), Irakut (29), Pakistanit (27) dhe Afganistanit (24).