Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka hyrë në një takim me ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin në zyrën e BE-së në Tiranë.
Takimi ka ardhur një ditë pasi mazhoranca rrëzoi me vota në Kuvend, kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Po ashtu, sot, ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi shprehimisht:
“Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin tjetër, me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim.
Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë.
















