Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka vizituar sot fshatin Magurë, ku ka parë nga afër investimet që janë duke u realizuar në këtë zonë.
Gjatë vizitës, Ahmeti ka ndaluar në stadiumin e ri të ndërtuar për klubin lokal “KF Minatori”, të cilin e ka cilësuar si një objekt modern që do të shërbejë për zhvillimin e sportit në këtë pjesë të komunës.
Ai gjithashtu ka vizituar objektet e vjetra banesore, për të cilat ka bërë të ditur se do të rinovohen përmes fondeve të efiçiencës energjetike. Në kuadër të përmirësimit të hapësirave publike, është ndërtuar edhe një park i ri, në vendin ku më parë ishin disa objekte të vjetruara.
“Magura po shndërrohet në një qytezë të vogël, të kompletuar me infrastrukturë bashkëkohore. Magura ec përpara!”, ka shkruar Ahmeti në një postim në rrjete sociale, duke theksuar përkushtimin për zhvillimin e barabartë të të gjitha pjesëve të komunës së Lipjanit.

















