Imam Idrizi: Ta ruajmë identitetin tonë kombëtar në Evropë

E publikuar: 21/07/2015 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Benjamin Idrizi, imami shqiptar i xhamisë së Bayernit, nga ku u transmetua direkt në televizionin lokal falja e Bajramit të Madh për herë të parë në histori të Gjermanisë, thotë se është krenar për këtë arritje.

Ai thotë se është i lumtur që Gjermania është bërë vend i hapur për të gjitha fetë.

“Transmetimi direkt i faljes së Bajramit nga një xhami e Bayernit ishte akt shumë i rëndësishëm për ne myslimanët dhe për shqiptarët. Bayerni është me shumicë katolike. Njerëzit nuk e kanë pritur këtë. Kemi pas program të mirë. Edhe prifti katolik me priftin protestant kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë nga një ligjëratë. Ka pasur shumë interesim nga mediat gjermane dhe nga mediat botërore”, ka thënë Idrizi në një bisedë telefonike për Interaktiv të KTV-së, raporton Koha.net.

Ai tregon se është ndier shumë mirë që kancelaria Angela Merkel mori pjesë për herë të parë në një iftar. “Sivjet ka qenë për herë të parë Angela Merkel në një iftar. Për herë të parë në histori të Gjermanisë janë bërë disa iftare ku kanë marrë pjesë edhe ministra e intelektualë të shoqërisë gjermane”, ka thënë më tej ai.

Idrizi ka porositur të gjithë të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë vendlindjes se duhet të dinë se ardhmërinë e kanë në Evropë dhe nuk duhet të bashkohen me rrymat ekstremiste, që, siç tha ai, “s’kanë qëllime të mira dhe janë pa perspektivë”.

“Ta ruajmë identitetin tonë kombëtar në Evropë”, ka porositur ai.

Ai e ka quajtur si fenomen të dëmshëm bashkëngjitjen e të rinjve në rrymat ekstremiste dhe thotë se “ata njerëz që i bashkohen këtyre rrymave, janë njerëz me të kaluar jo të pastër”.

Idrizi thotë se për të mbajtur fenë islame, edukimi duhet të jetë që nga familja, shkolla e deri te institucionet e larta.