Ilegalët vëzhgojnë urat në Mitrovicë

E publikuar: 17/04/2015 10:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Katër urat mbi Ibër që ndajnë qytetin e Mitrovicës, që nga e premtja do të vëzhgohen 24 orë në ditë nga Policia e Kosovës – stacioni veri, pjesëtarë të të ashtuquajturës ‘Civilna Zastita’, si dhe njerëz tjerë të MUP-it serb, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Këto struktura do të vëzhgojnë me shumë kujdes po thuajse hyrje-daljet e secilit individ dhe automjet që kalon në drejtimin jug-veri dhe anasjelltas.

Sipas këtyre burimeve, ky plan operativ është marrë të enjten pas takimit që ka zgjatur dy orë, (nga ora 9:00 deri 11:00) në Zyrën e Kosovës të Qeverisë së Serbisë që ndodhet në veri të Mitrovicës.

Mësohet se ky plan do të vazhdojë deri në një afat të pacaktuar kohor.

“Ministri Mariq ka urdhëruar për një vendim të tillë pas incidenteve të fundit në veri, derisa ka kërkuar nga kreu i policisë në veri që raportet policore gjatë 24 orëve për të gjitha ngjarjet që ndodhin në atë pjesë, t’i dërgohen në e-mailin e tij. Në këtë takim përveç ministrit Mariq, kanë marrë pjesë edhe kryetari legal dhe ilegal i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq e Aleksandar Spiriq, pastaj shefi i Civilna Zastita-s në veri, Stevo Paviçeviq, si dhe drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq”, kanë thënë burimet.