Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka reaguar për cilësinë e ajrit, duke bërë të ditur se për shëndetin e njeriut është rrezik ndotja e ajrit, e sidomos ata me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes.
“Këto ditë Kosova dhe veçmas qyteti i Prishtinës po përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit. Ndotja e ajrit konsiderohet një rrezik për shëndetin e njeriut, e sidomos për grupet e ndjeshme dhe me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes. Efektet shëndetësore afatshkurtra të ndotjes së ajrit në shëndet: sëmundjet, shtrimet në spital, komplikimet shëndetësore dhe vdekjet. Efektet shëndetësore afatgjata: sëmundshmëria, kanceri i mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare dhe pulmonare”, thuhet në reagim.
Shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit janë, sipas institutit janë sëmundjet ishemike të zemrës, goditja në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, bronhiti, emfizema, irritimi i syve dhe sistemit të frymëmarrjes, veçanërisht sulmet e astmës dhe kanceri i mushkërive.
“Të dhënat e OBSh-së tregojnë se ndotja e ajrit shkakton pothuajse 500.000 vdekje të parakohshme çdo vit në botë. Përafërsisht 290.000 nga këto vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të larta, ndërsa 190.000 vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. 9 nga 19 njerëz thithin ajër që tejkalon kufijtë e udhëzuesit të OBSH-së lidhur me nivelet e larta të ndotësve. Ditët e ftohta dhe rëniet e temperaturave mund ta vështirësojnë më shumë situatën si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jo-kualitative që po përdorin qytetarët, trafiku dhe industria”, thuhet mes tjerash nga IKSHPK-ja.
Rekomandimet e IKSHPK-së për reduktimin e rrezikut. kur ajri ka vlera të larta të ndotjes :
Të redukohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat;
Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për aerosjen e dhomave, derisa zgjasin vlerat e larta;
Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.
Të redukohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet hapësirave të mbyllura sikur e përcakton edhe vet ligji dhe në hapësira të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.
Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prirur për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.