IKSHPK nga sot ndryshon udhëzimet, nuk do të testohen rastet e kontaktit

E publikuar: 22/06/2020 13:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nga sot ka udhëzuar Ministrinë e Shëndetësisë që të mos testohen rastet e kontaktit por vetëm ata persona që shfaqin simptoma të COVID-19.

Sipas një vendimi që e ka përcjellë në komuna, Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të IKSHPK-së nga tani do të bëjë testimin vetëm te të hospitalizuarve në Klinikën Infektive dhe të atyre me simptoma të rënda të virusit.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar këtë, duke thënë se nga tani do të testohen vetëm rastet me simptoma.

“Vetëm rastet me simptoma do të mund të testohen tani e tutje, është rekomandim nga Instituti, vendimi ka ardhur nga sot”, ka thënë Gashi për Gazetën Sinjali.

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur shtim të rasteve të reja me koronavirus, ku deri tani janë konfirmuar 1.086 raste aktive./