Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës(IKSHPK) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, ka njoftuar sot qytetarët rreth metapneumovirusit njerëzor (hMPV), duke ofruar informacione për simptomat dhe parandalimin e përhapjes së tij.
IKSHPK-ja ka bërë të ditur se metapneumovirusi njerëzor, i cili shpesh shkakton simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm, përhapet përmes pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes, si dhe nëpërmjet kontaktit të ngushtë me individë të infektuar.
“Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë, ndërsa për personat më të ndjeshëm si fëmijët, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, mund të shkaktojë komplikacione të rënda si bronkit apo pneumoni”, thuhet në njoftim.
Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, Instituti rekomandon që individët të mbajnë maska në hapësira të mbushura me njerëz, të mbulojnë kollën dhe teshtitjen, të praktikojnë larjen e rregullt të duarve dhe të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë.