Largimi i një numri të madh investitorësh potencialë dhe problemet e shumta që përballen ata që kanë derdhur kapitalin për investime, si dhe bizneset e vendit kanë nisur të merren për bazë nga institucionet e vendit. Me ndryshimet e shumta që po planifikohet t’i bëhen Ligjit për investimet, po synohet që të përafrojnë atë me kërkesat që shumë biznese i kanë bërë tash e shumë kohë.
Institucionet e vendit kanë nisur të alarmohen me largimet e investitorëve potencialë nga Kosova, raporton KTV.
Pas shumë bisedave me biznese dhe përfaqësues të ndryshëm, kanë ardhur në përfundim se ligji aktual për investime duhet të ndryshohet.
Në dëgjimin publik të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik rreth zbatimit të këtij ligji, u përmendën një numër i madh i problemeve që kanë evidentuar në takimet e mbajtura me shoqatat e biznesit dhe bizneset.
Sipas tyre, perceptimi negativ për vendin, burokracia e tmerrshme shtetërore, problemet e furnizimit me energji, sundimi i ligjit dhe politikat fiskale janë disa nga problemet më aktuale që ekzistojnë në vendin tonë.
Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë kanë thënë se nuk janë të vetmit që duhet punuar për të nxitur investimet.
Ndërsa përfaqësues të bizneseve kanë thënë se me ligjin aktual shteti ka menduar vetëm për investitorët e jashtëm.
Me gjithë ftesën për pjesëmarrje, numri i përfaqësuesve të bizneseve, drejtuesve të kompanive, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile ishte simbolik, transmeton Koha.net.
Për investimet do të flitet edhe javën e ardhshme, ndërsa është propozuar që urgjentisht me ndryshimet që parashihen t’i bëhen ligjit t’i mundësohet qeverisë që të japë për investitorët strategjikë toka, si dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve të kalojë nga MTI në zyrën e kryeministrit.