Lajmet

IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

21.07.2026 12:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

Një numër i madh i institucioneve dhe agjencive të pavarura vazhdojnë të funksionojnë me pozita të paplotësuara, mandate të skaduara ose me procedura të papërfunduara për zgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të tyre.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një komunikate për media vlerëson se në disa raste, mungesa e emërimeve ka lënë disa prej ketyre institucioneve pa përbërje të plotë, ndërsa pozita të caktuara vazhdojnë të jenë të zbrazëta prej vitesh.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar gjendjen e mandateve dhe pozitave të lira në institucionet dhe agjencitë e pavarura.

Sipas tyre të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i pozitave vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, ndërsa për mandate që kanë përfunduar ose janë në prag të përfundimit duhet të zhvillohen procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos krijohen ndërprerje në funksionimin e ketyre institucioneve.

“Gjendja është veçanërisht shqetësuese në institucionet ku mungojnë shumica apo të gjithë anëtarët e organeve përkatëse. Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me të 15 anëtarët, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 11 anëtarë, ndërsa Komisioni për Ndihmë Shtetërore vazhdon me mandate të përfunduara që nga marsi i vitit 2022. Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona është pa përbërje, kurse Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media duhet të plotësohet me të tre anëtarët”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Pozita të paplotësuara vazhdojnë të ketë edhe në dy institucione kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duhet të plotësohet me dy gjyqtarë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon me një pozitë të paplotësuar.

Pozita të rëndësishme drejtuese vazhdojnë po ashtu të mbeten të paplotësuara. Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të plotësohet me Avokatin e Popullit dhe katër zëvendësavokatë. Mandati i Avokatit të Popullit ka përfunduar më 28 shtator 2025, ndërsa mandatet e katër zëvendësve kanë përfunduar më 14 qershor 2025. Ligji kërkon që procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit, ndërsa Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij vazhdojnë ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdon pa Kryetar të Bordit pas dorëheqjes së tij në gusht 2024, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të plotësojë pozitën e Kryesuesit, mandati i të cilit ka përfunduar në nëntor 2023. Edhe Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit vazhdon pa kryesues pas përfundimit të mandatit në qershor 2024.

Probleme me plotësimin e përbërjes vazhdojnë edhe në institucione të tjera të rëndësishme. Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare duhet të plotësohet me pesë anëtarë të Bordit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me katër anëtarë, Bordi i KOSTT-it me tre anëtarë dhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës me dy anëtarë. Pozita të lira ka edhe në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Bordin Mbikëqyrës dhe Komisionin për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona të Agjencisë Kosovare të Pronës”, thuhet më tutje në komunikatë.

Në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose përfundojnë mandatet e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme. Mandati i Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka përfunduar më 17 qershor 2026. Në përputhje me ligjin, Komisionerja vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit të saj.

Mandati i Drejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit përfundon gjatë muajit korrik 2026, ndërsa në gusht 2026 përfundojnë mandatet e Kryesuesit dhe dy anëtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Po ashtu, mandati i Auditorit të Përgjithshëm përfundon më 12 gusht 2026. Sipas legjislacionit në fuqi, Auditori i Përgjithshëm vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit, ndërsa procedura për zgjedhjen e Auditorit të ri duhet të zhvillohet me kohë për të shmangur zvarritjet në këtë institucion kushtetues.

Mandati i Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit përfundon më 24 dhjetor 2026. Procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri duhet të iniciohet para përfundimit të mandatit. Drejtori aktual vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit.

IKD vlerëson se mosplotësimi me kohë i pozitave në institucionet dhe agjencitë e pavarura nuk mund të trajtohet vetëm si çështje administrative. Mungesa e drejtuesve, anëtarëve dhe përbërjeve të plota rrezikon vendimmarrjen, funksionimin institucional, ushtrimin e kompetencave ligjore dhe mbikëqyrjen efektive në fusha të rëndësishme për qytetarët.

Situata aktuale nuk është rezultat i një rasti të izoluar, por pasojë e një krize të zgjatur institucionale dhe politike. Që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova nuk ka arritur të krijojë stabilitet të institucioneve. Mosarritja e shumicës parlamentare pas zgjedhjeve të rregullta çoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, ndërsa dështimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës solli shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të 7 qershorit 2026. Edhe pse rezultatet e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik 2026, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa vendi vazhdon të qeveriset nga një Qeveri në detyrë.

Kjo gjendje ka lënë pezull një numër të madh procedurash për emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve dhe agjencive të pavarura, të cilat, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, varen nga veprimi i Kuvendit ose nga bashkëveprimi ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë. Sa më gjatë të zgjasë moskonstituimi i Kuvendit, aq më shumë rritet numri i institucioneve që funksionojnë me mandate të skaduara, me përbërje të paplotë ose me pozita kyçe të paplotësuara.

Megjithatë, kriza politike nuk mund të shërbejë si shpjegim për të gjitha vonesat. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre procedurave është dashur të ishin iniciuar muaj para përfundimit të mandateve, ashtu siç kërkon legjislacioni në fuqi. Mosrespektimi sistematik i këtyre afateve ka bërë që vonesat të grumbullohen nga një legjislaturë në tjetrën, duke krijuar një zinxhir të mosveprimit të institucioneve që sot reflektohet në numrin e madh të pozitave të paplotësuara.

IKD i bën thirrje Kuvendit që, menjëherë pas konstituimit të tij, dhe Qeverisë, në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore, të trajtojnë si prioritet absolut përfundimin e procedurave të emërimit në institucionet dhe agjencitë e pavarura. Këto procedura duhet të zhvillohen pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë transparente, mbi bazën e meritës, integritetit profesional dhe respektimit të afateve të përcaktuara me ligj.

Institucionet e pavarura janë krijuar për të garantuar kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, konkurrencën, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien publike. Ato nuk duhet të mbeten peng i krizave politike dhe i mosveprimit institucional. Çdo vonesë në plotësimin e tyre është një vonesë në funksionimin e shtetit.

 

 

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Koha për një fillim të ri është tani!

Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Koha për një fillim të ri është tani!

Kthimi i ligjit të Speciales, Ramadani: Kushdo që është përfshirë në këtë lojë do ta trajtojmë si kundërshtar të UÇK-së

Kthimi i ligjit të Speciales, Ramadani: Kushdo që është përfshirë në këtë lojë do ta trajtojmë si kundërshtar të UÇK-së

“Shokuese, rruga më e keqe, ka pasur rrugë të tjera”, Limaj kritikon PDK-në për kthimin e ligjit për Specialen

“Shokuese, rruga më e keqe, ka pasur rrugë të tjera”, Limaj kritikon PDK-në për kthimin e ligjit për Specialen

Gruda: Ligji për Gjykatën Speciale nuk ka asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje të tij

Gruda: Ligji për Gjykatën Speciale nuk ka asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje të tij

Kthimi i ligjit në Kuvend, Bajqinovci: Ku janë sot ata që flisnin për bomba e ushtronin presion mbi Qeverinë dhe VV-në

Kthimi i ligjit në Kuvend, Bajqinovci: Ku janë sot ata që flisnin për bomba e ushtronin presion mbi Qeverinë dhe VV-në

Pas kthimit në Kuvend, OVL-UÇK paralajmëron protesta nësë zvarritet Ligji për Specialen

Pas kthimit në Kuvend, OVL-UÇK paralajmëron protesta nësë zvarritet Ligji për Specialen

Presidentja rikthen në Kuvend ligjin për Specialen, katër javë kohë për shqyrtim

Presidentja rikthen në Kuvend ligjin për Specialen, katër javë kohë për shqyrtim

Kurti ndan pamje nga Samiti i Berlinit, njofton për bisedën me Merz: Investimet gjermane janë rreth 1.5 miliardë euro

Kurti ndan pamje nga Samiti i Berlinit, njofton për bisedën me Merz: Investimet gjermane janë rreth 1.5 miliardë euro

KDI: Bllokimi i emërimit të deputetëve të Listës Serbe në komisione cenon përfaqësimin e komuniteteve

KDI: Bllokimi i emërimit të deputetëve të Listës Serbe në komisione cenon përfaqësimin e komuniteteve

Gërvalla takon ambasadorin austriak, flasin për reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin juridik

Gërvalla takon ambasadorin austriak, flasin për reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin juridik

Sveçla në Itali takon kreun e Karabinierëve, interesohet për bashkëpunim rreth krijimit të Xhandarmërisë në Kosovë

Sveçla në Itali takon kreun e Karabinierëve, interesohet për bashkëpunim rreth krijimit të Xhandarmërisë në Kosovë

Foto familjare e Samitit të Procesit të Berlinit, Rama e Spajic afër Merzit e Kos-it, Kurti e Mickoski lihen në cep

Foto familjare e Samitit të Procesit të Berlinit, Rama e Spajic afër Merzit e Kos-it, Kurti e Mickoski lihen në cep

Hoti: Përparim Rama, Kujtim Shala ose Hykmete Bajrami do t’i bënin nder LDK-së nëse bëhen kryetar

Hoti: Përparim Rama, Kujtim Shala ose Hykmete Bajrami do t’i bënin nder LDK-së nëse bëhen kryetar

Kurti takon Haddadin, thotë se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete

Kurti takon Haddadin, thotë se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete

Ministria e Mbrojtjes ndan afro 1 milion euro për shkollimin e pjesëtarëve të FSK-së

Ministria e Mbrojtjes ndan afro 1 milion euro për shkollimin e pjesëtarëve të FSK-së

Osmani: Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë zgjatim i politikës apo peng i interesave të pushtetit

Osmani: Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë zgjatim i politikës apo peng i interesave të pushtetit