Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës kanë reaguar ndaj neglizhencës që sipas tyre ka treguar Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës në rastin e Sebahate Sopit.
Sipas tyre, këto të fundit nuk kanë përmbushur obligimet ligjore në rastet ku cenohet integriteti i grave.
Sebahate Sopi dyshohet se më 14 mars vra nga bashkëshorti i saj. L.S dyshohet po ashtu se në lagjen Emshir në Prishtinë me armë zjarri ka vrarë fillimisht bashkëshorten e tij, e më pas e ka vrarë edhe vetën.
Në një konferencë për media, IKD dhe (RrKK), kanë publikuar gjetjet preliminare të hulumtimit të rastit të vrasjes së Sebahate Sopit: “Shteti me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Sopin”.
Ehat Miftaraj nga IKD tha se me Kushtetutë e drejta për jetë është elementare dhe duhet të garantohet nga shteti.
Sipas tij, Kosova gatë vitit të kaluar kishte inkorporuar edhe Konventën e Stambollit.
“Në rastin konkret, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dështuar të ushtrojë kompetencat e saj për t’iu ofruar mbrojtje Sebahate Sopit. Prokuroria Themelore në Prishtine dje në mënyrë amatoreske u mundua t’i ikë përgjegjësisë dhe të gënjejë publikisht që ka marrë të gjitha hapat për mbrojtje”, tha Miftaraj.
Më tej, Miftaraj tha se përveç se Sopi ishte viktimë e burrit, e njëjta ishte viktimë edhe e shtetit.
E, Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës theksoi se gratë për vjet me radhë po e raportojnë dhunën, por që institucionet gjegjëse po refuzojnë të ofrojnë mbështetje, çka po rezulton me përfundim të jetës me fatalitet.
“Prokuroria të bëhet më serioze në zbatimin e punës së tyre. Do të kërkojmë shkarkimin e prokurorëve që po dështojnë në zbatimin e punës së tyre”, ka shtuar ajo.
Hulumtuesi Shala nga IKD shtoi se prokurori i shtetit në komunikatën e djeshme duke u munduar ta mbulojë fajin e vet ka dëshmuar neglizhencën e treguar.
“Bazuar në kodin penal dhuna në familje përcaktohen si vepër penale. Dhe nuk është relevante nëse e ndjera ka shprehur gatishmëri për të vazhduar tutje rastin. Konventa e Stambollit tani më është e zbatueshme në Kosovë. Përkundër rastit që ky rast ishte raportuar më 3 mars në Prishtinë, kanë qenë të gjitha predispozitat për një rrezikshmëri të jetës së Sopit”, theksoi ai.



















