IHMK paralajmëron: Reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë natës dhe ditës së nesërme

E publikuar: 06/01/2026 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë periudhës 05–06 janar 2026, në territorin e Republikës së Kosovës ka pasur reshje mesatarisht 43 mm/lm².

Sasia e reshjeve sipas pellgjeve lumore ka qenë: Drini Bardhë: 76.2 mm, Ibri: 27.8 mm, Morava e Binçës: 19.9 mm, Lepenci: 47.9 mm.

Sipas IHMK-së, shumica e lumenjve në Kosovë, sidomos ata në pjesë perëndimore dhe qendrore të vendit, kanë shënuar ngritje gjatë këtyre dy ditëve. Disa prej tyre, në segmente të caktuara, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje lokale.

Situata më e vështirësuar paraqitet në lumenjtë: Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica, Lumi i Istogut, sidomos në degët e tyre me karakter malor.

Ndërsa, lumenjtë në lindje dhe jug të vendit si: Ibri, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci dhe Nerodimja, aktualisht kanë ngritje të lehtë të niveleve dhe nuk paraqesin probleme.

“Reshje, pritet edhe gjatë natës dhe ditës së nesërme, të cilat do ta vështirësojnë edhe më shumë situatën e krijuar”, thuhet tutje në njoftim.