Rreth një muaj më parë Zlatan Ibrahimovic u shpreh se “Euro 2016″ nuk do të kishte kuptim pa të. Për Ibrën tashmë ka ardhur momenti i së vërtetës, pasi pas pak ditësh Suedia e tij do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Danimarkës për fazën Play-Off. Derbi nordik vlen kualifikimin në Francë dhe sulmuesi i Paris Saint Germain-it e pranon se për të qenë pjesë e Europianit ai dhe shokët e tij të skuadrës duhet të jenë në maksimumin e formës ndaj skuadrës së Morten Olsen.
“Me Suedinë do të kemi dy finale ndaj Danimarkës, 2 ndeshje shumë të vështira. Ne duhet të shfaqemi në 100% të formës në të dyja takimet dhe jo vetëm në njërin prej tyre. Në ndeshjet e kaluara ne kemi treguar se e kemi potencialin e nevojshëm për të qenë pjesë e “Euro 2016″, por tashmë duhet ta bëjmë sërish dicka të tillë”.
Ibra është kapiteni i skuadrës dhe njëkohësisht golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Suedia me 59 finalizime në 109 ndeshje, por karrierës brilante të 34-vjecarit pak nga pak po i vjen fundi. Gjithsesi kur pyetet se sa e fortë mund të jetë Suedia edhe pa të, gjigandi i Paris Saint Germain shprehet optimist pasi vetëm pak muaj më parë kombëtarja e tij u shpall kampionëve e Europës për 21-vjecarët.
“Ne kemi në kombëtare të rinj premtues që bënë gjëra të mëdha gjatë verës së kaluar. Jam i sigurtë se edhe kur unë të mos jem unë, Suedia do të jetë një skuadër shumë e fortë. Duke filluar që nga 17-vjecarët të gjitha përfaqësueset e moshave po bëjnë paraqitje shumë të mira. Kjo më mbush me besim se edhe pas tërheqjes time Suedia do të ketë një lider”.