Nuk mund të mos e vlerësonin. Ibrahimovic është zgjedhur për të tretën herë në katër vjet si lojtari më i mirë i Ligue 1, çmim që e merr pas 45 golave sezonalë, mes kampionatit ku arriti në kuotën e 35 finalizimeve dhe Kupave duke përfshirë këtu edhe 5 gola në Champions. Cështja qëndron se suedezi 34-vjeçar është në skadencë kontrate dhe lëshon sinjale kontradiktore në lidhje me të ardhmen. Nga njëra anë Ibrahimovic duket se ndien nostalgji për Italinë dhe Milanin në veçanti, ndërsa në krahun tjetër konfirmon afeksionin e tij për Parisin.
“Por nuk e kuptoj se përse francezët nuk më dashurojnë, pasi jemi njëlloj arrogantë” – deklaroi Ibrahimovic duke bërë shaka. Në çdo rast Zlatan nuk e fsheh se e ka ende Milanin në zemër.
“Ky ishte sezoni më i mirë i karrierës për mua, por mund të përmirësohem duke punuar shumë. Nuk e di nëse e kam mbyllur këtu, unë bëj pjesën time, pastaj varet nga të tjerët. Kam dëshirë të luaj, por se ku këtë do ta shohim. Me siguri në pak kohë do të vendoset gjithçka. Kam një raport të mirë me Milanin, dhe është klubi më i madh ku kam luajtur. Nuk isha unë ai që desha të largohesha nga Milani, por të tjerët. Kjo është e kaluara por nuk e di nëse edhe e ardhmja mund të jetë e kaluara.”
Gjithsesi vlen të theksohet se sulmuesi nuk është se e përjashton pistën e qëndrimit te PSG.
“Parisi është unik. Kur fola keq për Francën bëhej fjalë vetëm për futbollin. Franca do të qëndrojë përgjithmonë në zemrën time, askush nuk mund të me heqë atë që kam arritur këtu, por një lidhje funksionon mes dy palëve.”