Deputeti i LDK’së, Nuredin Ibishi, ka treguar se gjatë luftës në Zonën Operative të Llapit s’ka pasur ushtarë të FARK’ut. Por, ai ka thënë se ka pasur njohur se kanë ekzistuat njësi të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Lexojeni të plotë reagimin
Jam keqinterpretuar lidhur me FARK-un
Lidhur me intervistën time të fundit në Televizionin “Rrokum”, nga e cila, disa portale në Kosovë, duke nxjerrë nga konteksti i fjalive të mia gjatë intervistës, kanë keqinterpretuar përmbajtjen me një konstatim banal se unë nuk di dhe nuk i njoh Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-un). Me këtë dua t’i demantoj këto interpretime qëllimkëqija dhe nxitëse: Gjatë luftës së UÇK-së jam angazhuar dhe kam vepruar në Zonën Operative të Llapit (ZOLL), fillimisht ushtar, Komandant i Brigadës 151 Zahir Pajaziti dhe më vonë Shef i Shtabit të ZOLL-it. Prandaj edhe gjatë gjithë intervistave të mia, kufizohem në pozitën dhe kompetencën që kam.
Qendroj në përgjigjen time se në ZOLL gjatë luftës nuk kemi pasur njësite të FARK-ut. Gjatë luftës, kemi qenë shumë të kufizuar në komunikim, përveç njësiteve të UÇK-së, që jemi kufizuar së bashku, në rastin tonë bashkëpunimi me njësitet e Zonës së Karadakut dhe Shalës. Pra, unë nuk mund të flas me kompetencë (siç bëjnë disa komandantë duke marrë kompetenca që asnjëherë nuk i kanë pasur gjatë luftës), se çka dhe si është zhvilluar lufta në zonat e tjera të UÇK-së.
Por, në këtë intervistë si dhe në intervistën e TV 21, kam përmendur dhe krahasuar rastin e luftës në Kroaci me shumë fraksione luftarake dhe me zgjidhjen e statusit të veteranëve në liri, që nuk është rasti me Kosovën për shkak të përplasjeve të vazhdueshme në nivel politik, se kush ka qenë me meritori për lirinë e Kosovës dhe a ka qenë udhëheqës i këtij apo atij fraksioni të luftës. Përveç, neve që kemi jetuar dhe vepruar në Kosovë dhe konkretisht si unë dhe bashkëluftëtarët e mi në ZOLL të UÇK-së, gjate luftës na janë bashkangjitur edhe shumë vullnetarë nga diaspora dhe Batalioni Atlantiku nga bashkëkombasit tonë të SHBA-së. Për këto flas me kompetencë dhe mbaj përgjegjësi të plotë.
Gjate luftës, kemi kontaktuar me telefon me përgjegjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në ekzil, që në atë kohë ishin me strukturë dhe njësitë në Shqipëri, ku Komandanti i ZOLL-it, Rrustem Mustafa- Remi i ka ofruar Ministrin Tërstena që të vij në ZOLL dhe të marr kompetencën dhe përgjegjësitë e Policisë Ushtarake (të cilën e kishim krijuar në ZOLL dhe ishte funksionale). Kjo ofertë nuk u realizua. Kam qenë në dijeni për ekzistimin e FARK-ut që nga vuti 1991 dhe kontributin e çmuar që kanë dhënë për ofrimin dhe bashkimin e të gjitha kapaciteteve të ushtarakëve, evakuimin me shpëtim të ushtarëve nga kazermat dhe njësitë e Armatës Jugosllave, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe formimin e njësiteve shqiptare në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe kontributin në lirinë e këtyre vendeve. Personalisht, kam qenë në një vizitë të shkurtër në Dellnice të Kroacisë, ku kam parë kazermën me oficerët dhe ushtarët shqiptarë, duke u lexuar Urdhrin Ditor në gjuhën shqipe dhe nën flamurin kombëtar shqiptar.
Kam qenë në dijeni për përgatitjet, kërkesat dhe angazhimin e FARK-ut në luftën e UÇK-së. Asnjëherë nuk kam kuptuar përse niveli politik nuk ka arritur t’i zbatojë marrëveshjet nga (Oslo, Tiranë dhe bisedime të tjera). Çfarë faji kanë ushtarët dhe ushtarakët e FARK-ut për këtë. Kam pasur njohuri për hyrjen e organizuar te njësiteve dhe vullnetarëve të FARK-ut në Kosovë dhe se kanë pasur emblemën dhe shenjat e UÇK-së. Gjithashtu, e di edhe për betejat shumë të suksesshme sikur, ajo e Loxhës, Koshares etj. Edhe në emisionin e TV Rrokum e kam thënë se ka pasur tendenca qëllimkëqija që këto njësite të FARK-ut, kinse nuk kanë bartur emblemën e UÇK-ës Tash kur gëzojmë dhe ndërtojmë lirinë tonë a na duhet më të ndahemi. U lëshua rasti i parë në legjislaturën e kaluar që të miratohet Ligji për Forcat e Armatosura. Në vend që të gjendet zgjidhja me miratim, filluan përplasjet në Kuvend, ndërsa po ai nivel politik që nuk kishte gjetur zgjidhje gjatë luftës, që gjate luftës solli shumë pasoja, vazhdonte heshtjen dhe ligji nuk u miratua. Situata në këtë legjislature është komplekse për shkak të instrumentalizmit të deputetëve serbë nga Qeveria e Serbisë për miratimin e Ligjit për Forcat e Armatosura.
Lidhur me zgjidhjen e statusit të UÇK-së ende ka përplasje lidhur me zgjidhjet meritore, duke dhënë deklarata injorante ndaj pjesëtarëve të FARK-ut nga udhëheqësit e disa shoqatave të kategorive të luftës së UÇK-së duke u rreshtuar në këtë apo atë parti politike. Liderët dhe partitë politike duhet të mos kenë ndikim dhe militantizëm në këto shoqata të UÇK-së. Pra të mos politizohen, siç po ndodhë në situatën kur Kuvendi ka miratuar Rezolutën për Vlerat e UÇK-së dhe, këto vlera duhet t’i gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe në veçanti familjarët e dëshmorëve, viktimave të luftës, personave të pagjetur, invalidët, veteranët dhe kategoritë e tjera, pa dallim. Politika dhe politikanët duhet t’i mbajnë duart larg nga ndikimet politike dhe favoret nga kategoritë e luftës dhe ta mbajnë vetën përgjegjës për 16 vjet të lirisë, që ende nuk kanë zgjedhur statusin e tyre. Është fat i keq që po kjo e njëjta politikë mundohet të krijojë ndasi artificiale, duke shpikur gjithçka që është në interesin e tyre personal dhe politik.