I vihet dryni ambulancës në Sharban të Prishtinës, çelësat i mbajnë qytetarët (VIDEO)

E publikuar: 14/05/2024 23:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njoftimi për orarin e vendosur në derë tashmë është i panevojshëm.

Banorët e fshatit Sharban të komunës së Prishtinës, ka më shumë se 1 muaj që nuk po marrin shërbime mjekësore në ambulancën e fshatit. Nga 1 prilli, objektii i është vënë dryni.

Prandaj, çelësat e dyerve të ambulancës, Beqir Lahi po i mban në shtëpi.

Kjo ambulancë është ndalur së funksionuari, me arsyen se nuk ka pacientë. E ky justifikim i komunës i ka befasuar banorët.

Më së shumti kjo situatë e ka zhgënjyer Beqirin, i cili në vitin 2010 e kishte falë tokën e tij, që fshati Sharban të bëhet me ambulancë.

Ai këtë veprim e kishte bërë vetëm që bashkëfshatarët e tij, sa herë që kanë ankesa shëndetësore, të mos brengosen ku të shkojnë.

Por se ky institucion shumë i nevojshëm për fshatin do të mbyllet një ditë, ai thotë se nuk e kishte marrë kurrë me mend.

Në shikim të parë ky institucion duket së është ndërtuar tashmë e jo para 14 vjetësh.

Pajisjet e dhomat janë të mirëmbajtura, derisa aty kanë mbetur disa nga ilaçet, të cilat po e presin mjekun për t’i përdorur. Por mjeku aty ka kohë që nuk vjen.

Sipas banorëve, deri në 2020-tën, aty kishte shërbyer një mjeke dhe një infermiere, por si pasojë e situatës me pandeminë, mjekja nuk kishte ardhur më.

E për infermieren thonë se ka shërbyer deri para një muaji, por se tashmë është pensionuar.

Megjithatë, Beqiri ka treguar një rast që falë ambulancës, të cilën e kishin afër, një bashkëfshatares i ishte shpëtuar jeta.

Nga 1 prilli, për të marrë një shërbim të thjeshtë mjekësor, banorët e Sharbanit detyrohen të udhëtojnë për në Prishtinë, të cilën e kanë 15 kilometra larg nga fshati.

E ambulancën më të afërt e kanë 8 kilometra, por aty pacientët e Sharbanit rrallëherë i pranojnë.