Amerikani Joseph Cooper ka vozitur veturën e tij BMW X5 prodhim i vitit 2013, plot 65 kilometra në një autostradë në Florida duke lëvizur me shpejtësi prej 160 kilometra në orë – e gjithë kjo kishte ndodhur pasi i kishte ngecur e shtypur pedalja e gazit.
Policia mezi ka arritur ta ndalë pasi në tre vende të ndryshme kishte vendosur barrikada, dhe mjete të mprehta për t’ia shpuar gomat, transmeton Telegrafi.
Gjatë vozitjes Cooper i kishte telefonuar policisë të cilëve u tha se i ka ngecur e shtypur pedalja e gazit, ku më pas zyrtari policor e këshilloi se si mund ta ndal shpejtësinë.
Por këshillat e policit nuk e ndihmuan Cooperin i cili vazhdimisht bërtiste “largohuni nga rruga”, duke pranuar që në një moment për pak sa nuk e kishte goditur një person.
Atij në dy vende të ndryshme i janë shpuar gomat e veturës X5, dhe kështu arriti ta zvogëlojë shpejtësinë në 95 kilometra në orë dhe më pas në 65, derisa vetura nuk u ndal vetëm duke lëvizur vetëm me “fellne”.
Në kompaninë bavareze BMW kanë njoftuar se do të bashkëpunojnë me policinë e Floridës, për të gjetur shkakun e këtij defekti. /Telegrafi/