I mituri nga Shqipëria shpallet në kërkim pasi iku drejt Kosovës me veturën e babait

E publikuar: 06/01/2026 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kukës – Që prej datës 5 janar, rreth orës 13:00, ka humbur kontaktet një i mitur 14 vjeç nga fshati Golaj, Bashkia Has.

Sipas Dritan Dautit, familjar i të miturit, djali quhet Mariglen Dauti. Ai ka deklaruar për Report TV, duke dërguar edhe fotografinë e të miturit, se Marigleni ka marrë pa dijeninë e prindërve mjetin e babait të tij, tip Mercedes-Benz, E-Class, me targa AB 379 RY.

Sipas familjarëve, hera e fundit që është parë ka qenë në një karburant “Petrol Pomp” në Kosovë, në segmentin rrugor Pejë–Prishtinë, rreth orës 16:00, më 5 janar 2026.

Familja Dauti i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe qytetarëve për ndihmë në gjetjen e tij. Sipas informacioneve të familjes, i mituri nuk ka dokumente identifikimi me vete.

Çdo person që ka informacion mbi vendndodhjen e Mariglen Dautit, lutet të njoftojë menjëherë autoritetet policore. /Report TV

Njoftimi i Policisë:

Has/ Më datë 05.01.2026, në Komisariatin e Policisë Has, kanë bërë kallëzim familjarët e një shtetasi të mitur, 14 vjeç, banues në Has, se i mituri ka marrë pa leje automjetin e babait të tij dhe është larguar nga banesa.

U bë shpallja në kërkim e 14-vjeçarit, ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.