I jepet lamtumira e fundit ish-ambasadorit Anton Berisha

E publikuar: 03/01/2025 14:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familjarët, miqtë e kolegët i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit ish-diplomatit Anton Berisha, i cili vdiq dje pas një sëmundje të shkurtër, shkruan Infosot.com.

Ai ishte ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni, njëherit edhe ish-bashkëpuntor i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ish-shef i ART, si dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme

Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë shumë fytyra publike. Kryetari i AAK’së, ka ndarë për Berishën medaljen post mortum “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.

Ish-Kryediplomati Enver Hoxhaj e ka vlerësuar lart kontributin e Berishës në diplomacinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një zë të veçantë në momente vendimtare për shtetformimin e vendit.

“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-zëvendësministrit dhe ish-ambasadorit, Anton Berisha. Mirënjohës për kontributin e tij në përfaqësimin e Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të saj, si një zë i veçantë i diplomacisë në një kohë vendimtare për shtetformimin e Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve. Pushoftë në paqe!”, ka shkruar Hoxhaj.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij, Genci, përmes një postimi të bërë në Facebook, duke njoftuar se vdekja erdhi shkak i një sëmundje të shkurtër.

“Të dashur familjarë dhe miq, Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftojmë se babai ynë i shtrenjtë, Anton Berisha, sot, më datë 2 janar, pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona”, shkroi ai dje në Facebok.

Lexo edhe:

Sot mbahen homazhe për Anton Berishën