Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, do të merret në pyetje muajin tjetër lidhur me dyshimet për korrupsion.
Termini i ri i intervistimit në cilësi të të dyshuarit është caktuar nga Prokuroria, pas dështimit të marrjes në pyetje të hënën si pasojë e një udhëtimi zyrtar të Hasanit në Turqi, shkruan sot Koha Ditore.
Hasani në Prokurorinë Speciale ka dy raste të hapura. I pari për të cilin është ftuar të dëshmojë si i dyshuar ka të bëjë me botimin e disa librave, ndërsa i dyti lidhur me pretendimet e Avokatit të Popullit se kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka falsifikuar në rastin e vendosjes për mandatin e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka thënë se i pandehuri me kohë kishte njoftuar se nuk mund të paraqitej të hënën për intervistë.
“Çdo i pandehur ka të drejtë ligjore që të kërkojë shtyrjen e marrjes në pyetje për arsye të ndryshme. Në këtë rast i pandehuri Hasani me kohë e ka njoftuar Prokurorinë se në terminin e caktuar ai nuk mund të paraqitet në Prokurori, për shkak të një udhëtimi zyrtar. Prokuroria ka aprovuar kërkesën e të pandehurit dhe ka caktuar një termin tjetër për dëgjim”, ka thënë ajo.