Mërgim Shala, i cili ishte dënuar nga Gjykata me 6 muaj burg për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dënim që më pas ishte zëvendësuar me gjobë në të holla, e ka fituar rastin për kthim në punë dhe kompensim të pagave nga viti 2014.
Përkundër faktit se ndaj tij ishte zhvilluar proces penal dhe ishte pezulluar nga puna për më shumë se një dekadë, zhvillimet e mëvonshme në procedurë bënë që ai të rikthehet në detyrë në Komunën e Prishtinës dhe të fitojë të drejtën për kompensim të pagave për periudhën e gjatë të pezullimit, raporton Infosot.
Rasti i Shalës daton që nga viti 2014, kur ai ishte i punësuar në Komunën e Prishtinës në pozitën e inspektorit të ndërtimit. Më 11 prill të atij viti, ai ishte pezulluar nga detyra me vendim të kryetarit të komunës, pasi ndaj tij ishte inicuar procedurë penale për veprën “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas ligjit për shërbimin civil që ishte në fuqi në atë kohë, një nëpunës civil ndaj të cilit zhvillohet procedurë penale mund të pezullohet nga detyra deri në përfundimin e procesit gjyqësor, por gjatë kësaj periudhe ai ka të drejtë të marrë 50 për qind të pagës.
Pas disa vitesh proces gjyqësor, më 16 tetor 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special e kishte shpallur fajtor Shalën për veprën për të cilën akuzohej dhe i kishte shqiptuar dënim me 6 muaj burg. Me pëlqimin e tij, ky dënim ishte zëvendësuar me gjobë në të holla.
Megjithatë, rasti mori një rrjedhë tjetër në shkallën e dytë. Më 11 janar 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës e liroi Shalën nga akuza për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale. Kjo do të thotë se afati ligjor për ndjekjen e veprës kishte kaluar dhe për këtë arsye procedura penale nuk mund të vazhdonte më.
Pas këtij vendimi, Komuna e Prishtinës mori vendim për rikthimin e tij në punë. Më 4 mars 2024, kryetari i komunës nxori vendim me të cilin Shala rikthehej në pozitën e inspektorit të ndërtimit dhe njëkohësisht i njihej e drejta për kompensimin e 50 për qind të pagës që i ishte ndalur gjatë periudhës së pezullimit. Më 15 mars 2024, atij iu lëshua edhe akti zyrtar i emërimit për rikthim në detyrën e mëparshme.
Megjithatë, edhe pse vendimi për kompensim ishte marrë, pagesat nuk u realizuan menjëherë. Komuna e Prishtinës kishte krijuar një komision për vlerësimin e pagave dhe kontributeve për nëpunësit civilë që janë kthyer në punë pas vendimeve gjyqësore. Ky komision shqyrtoi edhe rastin e Shalës dhe përllogariti pagat që i takonin për periudhën e gjatë të pezullimit.
Më 12 mars 2025, Komuna e Prishtinës i kishte dërguar kërkesë Thesarit të Kosovës për të proceduar pagesat retroaktive për disa zyrtarë që ishin kthyer në punë, në mesin e tyre edhe për Shalën. Megjithatë, sipas dokumenteve të administruara në procedurë, kjo kërkesë nuk u realizua dhe pagesat nuk u ekzekutuan.
Për këtë arsye, Shala iu drejtua sërish institucioneve. Ai paraqiti kërkesa te kryetari i Komunës së Prishtinës dhe te sektori i burimeve njerëzore duke kërkuar që të realizohej kompensimi i pagave për periudhën nga 11 prilli 2014 deri më 15 mars 2024. Pasi nuk mori zgjidhje konkrete, më 8 tetor 2025 ai paraqiti ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe provave të paraqitura, Këshilli konstatoi se ankesa e tij është e bazuar. Sipas vlerësimit të kolegjit, e drejta për kompensim ishte njohur tashmë me vendimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe mbështetet edhe në dispozitat e ligjit për shërbimin civil që ishte në fuqi në kohën e pezullimit.
Ligji parashihte se një nëpunës civil që pezullohet për shkak të procedurës penale ka të drejtë të marrë 50 për qind të pagës gjatë pezullimit, ndërsa në rast se më pas rikthehet në shërbim, periudha e mungesës trajtohet sikur të kishte qenë në detyrë dhe ai duhet të marrë pagën që do ta kishte përfituar po të mos ishte pezulluar.
Në këtë kontekst, Këshilli vlerësoi se përfundimi i procedurës penale për shkak të parashkrimit e bën të zbatueshme këtë dispozitë dhe për këtë arsye vendosi ta aprovojë ankesën e Shalës.
Me vendimin e tij, Këshilli obligon njësinë e burimeve njerëzore të Komunës së Prishtinës që brenda 15 ditësh të ri-procedojë kërkesën për kompensim në Thesarin e Kosovës. Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit është obliguar që brenda 15 ditësh nga pranimi i kërkesës ta ekzekutojë kompensimin financiar.
Kjo do të thotë se Mërgim Shala jo vetëm që është rikthyer në detyrën e inspektorit të ndërtimit, por pritet të përfitojë edhe kompensimin për pagat e ndalura për një periudhë që shtrihet pothuajse në dhjetë vjet.
Vendimi i Këshillit hyn në fuqi menjëherë me nënshkrim, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë të nisin konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda 30 ditësh, pa e ndalur ndërkohë ekzekutimin e vendimit për pagesën e kompensimit.




















