Andi Lila është bërë emër shumë i njohur në Itali, edhe atë brenda një kohe shumë të shpejtë.
Prejse u transferuar në Seria A nga Greqia, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare i ka zhvilluar pesë ndeshje me Parmën, duke shkëlqyer me paraqitje e madje i ka realizuar dy gola.
Parma është në krizë të madhe financiare, buzë falimentimit.
Por, për Lilën kjo nuk po çon fort peshë, pasi ai po e jep maksimumin për këtë ekip, i cili i mundësoi 29-vjeçarit të dëshmohet në njërën prej ligave më të forta në Evropë.
Pikërisht sakrifica e tij për Parmën, krahas paraqitjeve të mira të tij, e kanë bërë Lilën një emër të përfolur në Itali.
Mbrojtësi i djathtë shqiptar insiston se për këtë skuadër është në gjendje të bëjë gjithçka.
Parma në edicionin e ardhshëm pritet të garojë në Serie B, nëse veç nuk shuhet.
Ndërsa, Lila është i gatshëm ta ndihmojë skuadrën edhe në atë rang garash, gjë që po konsiderohet edhe kjo sakrificë e Lilës nga mediet italiane.
“Që kur kam mbërritur në Parma, kam menduar vetëm për stërvitjet dhe për ndeshjet, për asgjë tjetër”, ka deklaruar Lila, duke bërë me dije kështu se nuk po mërzitet që nuk po mund të fitojë para të mira nga klubi në krizë.
“Në rast se biem në Serie B, për mua nuk do të ishte problem të qëndroja për të ndihmuar skuadrën. Më pëlqen qyteti, njerëzit, kështu që pa problem do të vazhdoja”, ka theksuar ai.
Por, Lila mund t’i bashkohet ndonjë klubi tjetër në Serie A, normalisht nëse vazhdon me paraqitje të mira.