I akuzuari se ia shiti armën Murselit e Plavës, Tom Dodaj e pranon fajësinë – vëllai i Liridonës e mirëpret deklarimin e tij

E publikuar: 31/01/2025 12:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në seancën fillestare lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari Tom Dodaj, ka pranuar fajësinë për veprën që ngarkohet.

Sipas aktakuzës, Dodaj ia kishte shitur armën të akuzuarit tjetër Naim Murselit për 280 euro, armë me të cilën ishte kryer vrasje e Liridonës.

Pranimin e fajësisë së Dodajt e bëri të ditur avokati i tij.

“Vullnetarisht ka vendosur ta pranojë fajësinë”, deklaroi ai.

Pastaj gjyqtarja pyeti vëllain e Liridonës, Leonard Ademajn, nëse pajtohen me pranimin e fajësisë, ku ai tha se “Po pajtohem plotësisht”.

Më pas gjyqtarja deklaroi se familja Ademaj e mirëpresin pranimin e fajësisë.

“E mirëpresin pranimin e fajësisë nga i akuzuari Tom Dodaj”, tha ajo.

Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.