Hysni Gucati në Kosovë, vizitoi varrin e babait të tij (Foto)

E publikuar: 30/05/2022 15:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, Hysni Gucati ka vizituar sot varrin e babait të tij, në varrezat e fshatit Marinë që gjenden afër kompleksit memorial të dëshmorëve.

Gucati i cili është dënuar me burg nga Gjykata Speciale, nuk ka qenë i pranishëm në varrimin e babait të tij i cili ka ndërruar jetë më 27 maj.

Por ai sot është parë pranë varrit të babait të tij, i shoqëruar nga Policia e Eulexit, siç shihet edhe në fotografitë.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, ka shpallur fajtorë Hysni Gucatin dhe ka dënuar 4 vjet e gjysmë burgim duke përfshirë kohën e qëndrimit të tyre në paraburgim si dhe me nga një shumë parash prej 100 eurosh, për publikimin e dokumenteve të Gjykatës Speciale, të cilat ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë, në vitin 2020.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 26 shtator 2020 me urdhër të Gjykatës Speciale.