Ish-koordinatori për dialog, Skender Hyseni ka komentuar deklaratën e Kryeministrit Kurti i cili tha se është i interesuar të diskutojnë elementet e marrëveshjes së përgjithshme, teksa foli për agjendën e mundëshme të takimit të 18 shkurtit me presidentin serb në Bruksel.
Ai u shpreh se Kurti duhet ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetëm atë që ka rëndësi primare.
“E përkrah plotësisht këtë qasje të re të Kurtit. Natyrisht, nese ai këte e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërsisht e gabuar. Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetem ate që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Hyseni në Facebook.
Ai tha se Qeveria s’duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta.
“Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë”.
“Kurti duhet t’i kthehet fromulës dhe platformës që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsistone në qëndrimin se s’pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së pergjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E Vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme”, shkroi Hyseni.
Ai tha se marrëveshja e përgjithshme i bënë lehtë të zgjidhshme dhe siç u shpreh ai tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta, përcjell Klankosova.tv.
“Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta. Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mosmbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e invstimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera”.
“Nuk e kuptoj pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kemi vendosur në vitin 2020. Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje”, ka shkruar tutje Hyseni.