Ka përfunduar takimi mes koordinatorit të Kosovës për dialog Skënder Hysenit dhe drejtorit të Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, janë takuar të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, deklaroi se “duket se ka një dozë konstruktiviteti dhe vetëdije që duhet të ecet tutje”.
Ai, megjithatë, nuk dha detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por theksoi që ka “pajtim rreth elementëve të caktuar dhe se biseda ka qenë konstruktive”.
“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Sipas tij, çdo e arritur në këtë proces që mund të zbatohet dhe ka zbatueshmëri, do të ndodhë.
“Mirëpo, ky është një moment i ri. Po flasim për një përmbyllje, prandaj ky proces është skajshmërisht politik”, theksoi Hyseni.
“Nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare”, tha ai raporton REL.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më herët gjatë ditës, ka konfirmuar se ka zhvilluar takime të ndara me dy negociatorët, Skender Hysenin nga Kosova dhe Marko Gjuriqin nga Serbia.
Lajçak është shprehur i kënaqur që është takuar me Hysenin dhe Gjuriqin dhe ka thënë se “kanë vazhduar diskutimet politike në nivel ekspertësh”. Duket se Lajçak i ka zgjedhur mirë fjalët, pasi pala kosovare thotë se këto bisedime nuk janë teknike, por janë politike.