Këtë të shtunë, koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka udhëtuar për në Washington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me qëllim të koordinimit rreth procesit të negociatave.
Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja nuk e dinë se cilat janë temat që do të diskutohen në këtë takim, raporton KTV.
Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se, pos që nuk do ta mbështesin Hysenin në këtë proces, ai nuk e ka as legjitimitetin e popullit, marrë parasysh që në të kaluarën, sipas saj, ka qenë pjesë e shumë marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.
Haxhiu, më tej, shton se Hyseni nuk është transparent.
Përderisa nga AAK-ja kanë thënë se janë informuar përmes mediave rreth këtij udhëtimi të Hysenit.
Ndërsa analistët thonë se kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin për t’i vazhduar negociatat me Serbinë dhe se nuk e ka përkrahjen e popullit.
Sipas Krenar Shalës, Kosova duhet të ketë një qeveri të re dhe ta përfundojë dialogun me Serbinë.
Përderisa, nga organizata PIPS janë shprehur se përfshirja e SHBA-së në bisedimet Kosovë-Serbi është lajm i mirë për vendin.
“Është hapi i parë nga Shtëpia e Bardhë pas prishjes së samitit të 27 korrikut. Mbetet të shihet a do t’u dhurojë SHBA-ja mbështetje të plotë bisedimeve të udhëhequra nga Lajçak, apo do të ketë edhe një tentativë për t’u inkuadruar në proces si lehtësues”, ka thënë Leonora Kryeziu, drejtoreshë e kësaj organizate.
Hyseni para nisjes tha se në Bruksel po zhvillohen negociata të vështira për elementet e marrëveshjes finale e cila, sipas tij, ka për synim njohjen reciproke me Serbinë.
Ndryshe, të enjten në Bruksel ai zhvilloi një raund tjetër bisedimesh me Serbinë në nivel ekspertësh.
Skënder Hyseni, i cili është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar koordinator shtetëror për dialogun e Kosovës me Serbinë më 21 korrik.