Ky është projekt i përbashkët me Parlamentin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës. Të tre palët janë dakorduar për një listë prej 30 pozitave të lira brenda 20 institucioneve të Kosovës, të cilat do të rekrutohen para fundit të muajit mars në vitin 2017.
Më 17 tetor 2016, në kuadër të projektit “Fuqizimi i qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve të Kosovës”, Ambasada Britanike ka nënshkruar kontratë me kompaninë BDO LLP në partneritet me kompaninë A&DC, për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në rekrutimin e kandidatëve për pozita të larta të institucioneve publike të Kosovës.
Kompania BDO LLP është dega e kompanisë ndërkombëtare BDO në Britani të Madhe, njofton Ambasada e këtij shteti përmes një njoftimi për media. Sipas njoftimit, kjo kompani është pjesë e 5 rrjeteve më të mëdha të shërbimeve profesionale në botë, e cila ka përvojë për më shumë se 30 vjet në dhënien e asistencës teknike.
“Kompanitë BDO dhe A&DC janë përzgjedhur pas një procesi konkurrues të tenderimit. Së bashku ato kanë përvojë të konsiderueshme në menaxhim dhe këshillim të proceseve të rekrutimit. Në bashkëpunim me institucionet përkatëse të Kosovës, kompania BDO në bashkëpunim me A&DC do të jetë përgjegjëse për përgatitjen e listës së ngushtë të kandidatëve më të mirë për t’u përzgjedhur në pozitat e larta të shpallura, listë e cila do të përpilohet përmes një procesi transparent dhe të paanshëm rekrutimi”, thuhet në njoftimin për media. “Përzgjedhja përfundimtare e kandidatit/es do të bëhet nga institucionet e Kosovës. Kompania BDO në bashkëpunim me A&DC do të mentorojë dhe këshillojë kolegët vendas me praktikat më të mira të rekrutimit dhe komunikimit të rezultateve të proceseve të rekrutimit tek institucionet përkatëse dhe tek publiku i gjerë”, thuhet në njoftim.
Ky është projekt i përbashkët me Parlamentin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës. Të tre palët janë dakorduar për një listë prej 30 pozitave të lira brenda 20 institucioneve të Kosovës, të cilat do të rekrutohen para fundit të muajit mars në vitin 2017.
Lista e pozitave për rekrutim është si vijon:
1. Drejtor i Doganës së Kosovës
2. Kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë
3. Anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë
4. Bordi i KEK-ut
5. Bordi i Telekomit të Kosovës
6. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme
7. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë
8. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë
9. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Edukimit
10. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim
11. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë
12. Sekretar Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Pronë
13. Bordi Mbikëqyrës i Agjencisë Kosovare për Pronë
14. Drejtor i Institutit për Mjekësi Ligjore
15. Drejtor i Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim
16. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Akreditim
17. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve
18. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
19. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë e Shoqërisë së Informacionit
Qëllimi thelbësorë i kësaj përkrahje është krijimi i një administrate publike më profesionale, të pavarur dhe transparente me fokus të fuqishëm që të marr vlerë më të madhe për para, dhe po ashtu shpenzimin e duhur të parave publike dhe njëkohësisht ndërtimin e besimit në institucionet publike. Me konkretisht, ky projekt synon të vendosë standarde të reja për proceset e rekrutimit të pozitave publike në Kosovë.
Me këtë rast, ambasadori britanik Ruairí O’Connell tha se nepotizmi dhe klientelizmi janë probleme për Kosovën.
“Unë kam kënaqësinë që ne mund të mbështesim Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për të bërë ndryshime pozitive. Ky është vetëm fillimi. Është një proces i gjatë dhe suksesi mund të arrihet vetëm me angazhimin politik nga udhëheqësit e Kosovës, me mediat aktive dhe me një shoqëri civile që kërkojnë llogaridhënie nga institucionet. Unë shpresoj se ky projekt do të kontriboj drejt një administrate publike më profesionale, efikase, llogaridhënëse dhe të pavarur”, thuhet në njoftim.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se zatimi i marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është vetëm fillimi i një procesi të rëndësishëm për depolitizimin e pozitave të larta shtetërore. “Qytetarët e Kosovës duhet të punësohen në bazë të profesionalizmit dhe meritokracisë dhe kjo duhet të bëhet normë për institucionet tona”.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu bindjen se Qeveria e Republikës së Kosovës, gjatë dy viteve të fundit, ka shënuar rezultate evidente në të gjitha aspektet që lidhen me reformat, të cilat kanë rritur në masë të ndjeshme llogaridhënien, transparencën dhe besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtar.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës, ka avancuar politikat që lidhen me rekrutimin e profesionistëve në pozicione të ndryshme në administratë. Edhe kjo marrëveshje, është dëshmi e përkushtimit tonë për të avancuar praktikat dhe kapacitetet e institucioneve dhe fakti i përfshirjes së Ambasadës Britanike, tregon besimin dhe përkushtimin e tyre për proceset në Kosovë”, ka thënë Mustafa. “Reformat e jashtëzakonshme në ekonomi, të përshëndetura nga institucionet më kredibile ndërkombëtare, ekspertët, bizneset vendore edhe të jashtme, po përcillen me reformat të rëndësishme ligjore dhe administrative në të gjitha aspektet. Andaj, edhe ky proces që po hyn në fazën finale sot, është një hap i madh në drejtim të fuqizimit të institucioneve tona”, ka shtuar ai.
Një prononcim e ka thënë edhe partneri në BDO LLP dhe Shefi i grupit të projekteve ndërkombëtare.
“Jemi shumë entuziastë të punojmë me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës dhe Ambasadën Britanike në Prishtinë, në këtë projekt financuar nga qeveria britanike për të ndihmuar në implementimin e praktikave të drejta të rekrutimit si dhe përzgjedhjes efektive të kandidatëve në gjithë qeverinë dhe administratën publike. Së bashku me partnerët tanë në A & DC, ne kemi një ekip me përvojë të profesionistëve të gatshëm të ofrojë asistencë teknike për të ndihmuar të gjitha palët në arritjen e objektivave të tyre. Presim me padurim të takojmë hisedarët kryesorë pas lansimit të projektit”, ka thënë ai.