Huqja e madhe Hashim Thaçit për vizat. Ky është parashikimi i analistëve politikë!

E publikuar: 10/09/2015 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Premtimin e fundit të zëvendëskryeministrit të Kosovës,  Hashim Thaçi, se liberalizimi do të ndodhë vitin që vjen, njohësit e çështjeve politike, e shohin në mënyra të ndryshme. Disa prej tyre këtë premtim e shohin si të mundshëm, derisa të tjerë thonë se ky premtim i Thaçit nuk është diçka që duhet besuar.

Analisti politik, Xhemal Ahmeti ka thënë për Gazeta Blic, se vetë Hashim Thaçi  përmes deklaratës së tij dhënë gazetës gjermane “Handelsblatt” (për heqjen e vizave), e pranon në njëfarë forme se nuk kanë punuar sa duhet në këtë rrugëtim. Sipas tij, ai qe disa vite nuk ka mundur të bëjë ndonjë gjë, e si mundet dikush t’i zë besë, se vitin e ardhshëm do të na u hiqkan vizat.

xhem

“Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, pranon se qeveritë e tij të deritanishme nuk kanë bërë asgjë në drejtim të përmbushjes së kritereve të BE-së, për liberalizimin e vizave dhe këtë mendon ta bëjë deri vitin e ardhshëm. Nëse për dy legjislatura nuk ka arritur të bëjë diçka si kryeministër, pse beson sot e për një vit ta bëjë këtë? Pse t’i besojë kush?”, ka thënë Ahmeti.

Kurse, eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Shenoll Muharremi, ka thënë për Gazeta Blic, se liberalizimi dikur do të ndodhë, dhe  se pikërisht  viti që vjen, është vit i mundshëm për t’u bërë një e tillë gjëje. Sipas tij, zëvendëskryeministri Thaçi  ka gjasa ta dijë se kur do të arrihet ky synim.

“Viti i ardhshëm është vit optimal për viza, për shkak se jemi në fazën përfundimtare. Ne megjithatë, duhet ta presim raportin e ekspertëve të BE-së për ta parë mendimin e tyre, për shkak se janë ata që vendosin në fund. Ministri i Jashtëm i ka gjasat më të mira nga të gjithë, që ta qëllojë vitin se kur do të liberalizohen vizat.  2016-a  është  vit optimal dhe presim që liberalizimi të ndodhë”, ka thënë Muharremi.

Shenoll-Muharremi

Ai më pas ka shtuar, se kjo ka mundur të ndodhë qysh kohë më parë, megjithatë tani ka ardhur momenti për realizimin e këtij synimi. Poashtu, heqja e vizave sipas tij, do të shërbejë në krijimin e marrëdhënieve më të afërta, në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“BE-ja edhe Qeveria kanë mundur ta bënin  shumë më shpejt këtë gjë. Është koha që edhe Kosova të përfitojë. Liberalizimi do të ndihmojë  mes tjerash afrimin e Kosovës me BE-në, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe ai biznesor dhe kulturor. Andaj, është në interes të të dy palëve të ndodhë sa më parë”, ka përfunduar Muharremi.

Hashim Thaçi edhe në zgjedhjet e 2010-ës kishte premtuar se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda 15 muajve , mirëpo kanë kaluar thuajse 5 vjet nga ajo periudhë dhe Kosova vazhdon të jetë e izoluar.

Ngjashëm sikurse Hashim Thaçi, me të marrë pushtetin edhe Isa Mustafa kishte premtuar liberalizimin e vizave në pranverën e vonë të këtij viti, mirëpo ky premtim i tij doli të jetë elektoral.

Ndryshe, Kosova është i vetmi vend në rajon që edhe më tutje nuk ka liberalizim të vizave në raport me vendet e Bashkimit Evropian. /Gazeta Blic