Hungaria vlerëson se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot në takim njoftues ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, veçmas në ekonomi dhe në arsim.
Kryeministri Hoti shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që Hungaria i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë.
Ai njoftoi ambasadorin Bencze për prioritet e Qeverisë së Kosovës, parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë COVID–19, pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
Po ashtu, Hoti foli edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Siç bëhet e ditur nga një komunikatë për media, ambasadori Bencze riafirmoi mbështetjen e Hungarisë për Kosovën, duke ofruar kredi prej 62 milionë eurosh, e cila pritet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Po ashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për organizimin e takimit të Këshillit ekonomik Kosovë – Hungari, si dhe për shkëmbimin e vizitave reciproke në nivel të lartë dhe nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në fushë të arsimit.
Kur është fjala për arsimin, duhet theksuar se Hungaria ka ndarë 75 bursa universitarë për studentët nga Kosova.
“Hungaria konsideron se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave”, theksoi ndër të tjera ambasadori Jozsef Bencze, i cili e siguroi kryeministrin Hoti se Hungaria do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tej agjendën e integrimit euro perëndimor të Republikës së Kosovës.