Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, Mustafa e njoftoi për zhvillimet aktuale në vend, për agjendën e reformave, si dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.
Ai poashtu shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e madhe të Hungarisë në fushën e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, zhvillimit ekonomik, proceset eurointegruese dhe aspekte tjera.
“Hungaria në vazhdimësi ka qenë një ndër mbështetësit e fuqishëm të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj dhe ne presim vazhdimin e kësaj përkrahje shumë të rëndësishme për proceset aktuale”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral me Hungarinë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, pasi vlerësoi lartë progresin e arritur nga Kosova në shumë fusha, ofroi përkrahjen e parezervë të Hungarisë për proceset e mëtejme zhvillimore si dhe eurointegruese të Kosovës.
Ai po ashtu, shprehu vullnetin e Hungarisë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale si dhe theksoi mbështetjen e mëtejme të Hungarisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.



















