Hungaria dëshiron që Bashkimi Evropian të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe nga NATO kërkon t’i përfshijë këto vende, ka thënë të mërkurën ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto.
“Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit është garant i sigurisë”, ka thënë Szijjarto gjatë një konference për media ku morën pjesë rreth 12 zyrtarë nga vendet e Evropës Qendrore dhe të Ballkanit Perëndimor, raporton Reuters.
“Një Ballkan Perëndimor i paqëndrueshëm dhe me tensione është rrezik serioz për tërë Evropën… Ne kemi kërkesa në këtë aspekt”, shtoi ai.
Szijjato ka kërkuar që nisja e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë e Maqedoninë të nis jo më vonë se në tremujorin e parë të vitit 2018, raporton Koha.net.
Kujtojmë se sot, gjatë ministerialit të Procesit të Vishegradit që po mbahet në Hungari, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar një takim me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto, të cilit i tha se Kosova dëshiron “menjëherë liberalizimin e vizave, sepse nuk duam që të rinjtë tanë, që njerëzit e biznesit, të ndihen të izoluar, të diskriminuar në nivel evropian”.
Në këtë takim, përveç Pacolli, po merr pjesë edhe ministri shqiptar i Jashtëm, Ditmir Bushati, si dhe ai serb, Ivica Daçiq.


















