Partia e Kadri Veselit kishte organizuar konferenca javore për të denoncuar keqqeverisjen në Prishtinë. Por, e kanë rikthyer heshtjen prej kur dolën të katërtit në zgjedhjet komunale. Megjithëkëtë, Bujar Cakolli i PDK-së thotë se do të vazhdojnë të denoncojnë keqpërdorimet e pushtetit komunal. Ka thënë se ka dhënë tri intervista në Prokurori prej kohës kur ka deponuar kallëzimet penale kundër Shpend Ahemtit.
PDK dërgoi tri kallëzime penale në Prokurori. Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli është ftuar nga prokuroria në cilësinë e dëshmitarit lidhur me gjetjet që kjo parti i ka denoncuar për punësimet, lejet ndërtimore dhe çerdhet gjatë qeverisjes së Shpend Ahmetit në kryeqytet.
“Jam ftu të paktën tre herë nga Prokuroria përkatësisht nga hetuesit pranë departamentit të Prokurorisë Speciale. Për cka jam intervistu në cilësinë e dëshmitarit edhe i kam paraqit faktet, argumentet edhe provat që ne i kemi lidhur me keqpërdorimet”, thotë Cakolli.
Megjithatë, ka disa muaj që të njëjtit po heshtin ndaj siç e quajnë keqqeverisjes së Shpend Ahmetit.
Bujar Cakolli paralajmëron se PDK do të vazhdojë me intensitet të shtuar të shfaq para qytetarëve edhe më shumë gjetje të keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes së Shpend Ahmetit e Vetëvendosjes në Prishtinë.
Ai e mohon se këto aktivitete janë bërë vetëm për zgjedhjeve lokale. Thotë se përgatitjet për mbajtjen e konferencave i kanë filluar afro një vit para zgjedhjeve lokale. Beson se përbërja e re komunale e PDK-së në Prishtinë do të demaskojë punën e Shpend Ahmetit në vazhdimësi, madje me intensitet më të shtuar.
“Unë po besoj që tash përbërja e re komunale në komunën e Prishtinës nga radhët e PDK do të vazhdojë me të njëjtin intensitet me demaskimin edhe evidentimin e të metave që do të ketë në qeverisjen e Shpend Ahmetit në vitet në vazhdim”, tha Cakolli të dielën për Express.
Në një bisedë për Gazetën Express, Bujar Cakolli konsideron se Shpend Ahmeti është shndërruar në një njeri simbol të shkeljeve dhe sinonim i drejtuesit që nuk përfaqëson qytetarët. Thotë se koncepti i tij qeverisës është ndërtuar mbi mashtrime, hajni dhe nepotizëm.
Ai flet edhe për përçarjet e VV-së, thotë se këto zhvillime janë pak a shumë çka PDK i ka thënë në vazhdimësi.
“Zhvillimet e fundit në partinë VV rishfaqin pamoralitetin e skajshëm politik të tyre që qëllim të vetëm kanë pasur marrjen dhe më pastaj keqpërdorimin e pushtetit dhe degradimin e tij, në shërbim të kastës së vet, ashtu siç e bënë katër vite në Prishtinë”, përfundoi ai.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj në zgjedhjet e 22 tetorit morri mbi 5 mijë vota dhe u rendit i treti pas Shpend Ahmetit, Arban Abrashit e Selim Pacollit. Duke dalë si njëri prej kandidatëve me më së paku vota në Prishtinë. Shpend Ahmeti në rrethin e dytë të zgjedhjeve në përballje me Arban Abrashin e LDK-së arriti që të fitojë Prishtinën edhe për një mandat.
Deri në vitin 2013 kur Shpend Ahmeti i fitoi zgjedhjet në Prishtinë, kryeqyteti tradicionalisht është qeverisura nga LDK-ja.
Ai po vazhdon ta udhëheqë kryeqytetin edhe për katër vitet e ardhshme.


















