Intervistë me Sokol Shepetenë, rekordmenin shqiptar të Altetikës: Si i thanë se nuk je i denjë të ngresh flamurin kombëtar dhe kërcënimi që iu bë familjes së tij nga mafia në Shkodër.
Është një histori e pazakonte ajo e Sokol Shepetesë, talentit shkodran të atletikës dhe ish-oficerit të forcave speciale RENEA, i cili ka marrë rrugët e mërgimit, i braktisur nga vendi i tij, por i vlerësuar jashtë- në Itali.
Në fakt mënjanimi i talenteve nuk është një histori e pazakonte për Shqipërinë, por për Sokol Shepetenë po, sepse ai u denigrua si pasojë e ngjyrës së tij të lëkurës: e quajtën jo të denjë të ngrinte flamurin kombëtar në garat ndërkombëtare.
Sokol Shepeteja nuk është thjesht një njeri me ngjyrë, por ai është një pjesëtar i një familje të rrallë në Shqipëri. Ai nuk i përket komunitetit rom apo egjiptian, pasi është një afro-shqiptar, po po, familja e tij ka ardhur nga Afrika para 200 vitesh kur stërgjyshi i tij një detar i sprovuar zbarkoi në fillim në Ulqin e më pas në Shkodër, ku u integrua dhe përbën grupin e “shkodranëve të vjetër” 24 karatësh që ndërtuan qytetin më modern shqiptar të fillim shekullit të 20-të.
45 vjeçari Sokol Shepeteja, rrëfen për herë të parë për tesheshi.com historinë e tij të trishtw, ku edhe pse u trajtua pa respekt, thotë se ka mall për vendin e tij e në veçanti për qytetin e lindjes Shkodrën.
Ne universiaden e Japonise me kolege arabe
Ka dy fëmijë një vajzë dhe një djalë, të cilin e ka talent në futboll dhe shpreson që ai të mos pësojë zhgënjimin e babait, por të aktivizohet një ditë në kombëtaren kuqezi.
Në një intervistë për tesheshi.com, Sokol Shepeteja rrëfen historinë e tij dhe mesazhet e një sportisti dhe një qytetari model…
Sokol përshëndetje, ju dhe familja juaj keni spikatur në Shkodër, pasi ishit ndryshe nga fizionomia dhe gjithmonë keni ngjallur kuriozitet për origjinën tuaj edhe pse realisht jeni nga qytetarët e vjetër të Shkodrës…
Ylli, të falënderoj për mundësinë për të folur për një media shqiptare. Nuk jam dakord shumë me ju, vërtetë që pamja jonë e qartë-dalluese e grupit etniko-kulturor afrikoidë na ka dalluar, por ne kemi qenë gjithmonë të shkrirë me Shkodrën dhe kemi marrë dhe dhënë respektin e atij qyteti të mrekullueshëm dhe njerëzit pa paragjykime e jo diskriminues. Por herë pas herë ka ngritur kryet një dallim racial, që pse ta fsheh, na ka lënduar e dëmtuar. Unw i përkas një familje qytetare, që lidhjen e lashtë e kanë pasur gjithmonë me detin.
Stërgjyshi im ka ardhur nga Turqia por origjna e largwt, shumw e largwt wshtw nga Afrika, ndërkohë që gjyshi im Nazmi Shepeteja dhe babai im Rexhep Shepeteja kanë qenë themeluesit e Flotës Detare Tregtare të Shqipërisë, si dy nga kapitenët më të mirë të saj. Të parët e mij, erdhën në fillim në Ulqin e pastaj në Shkodër, si qendra e tregtisë dhe e zhvillimit ekonomik, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë rajonin. Jemi vendosur në lagjen e vjetër të Shkodrës, Perash, ku kam jetuar gjithmonë.
Me bashkeshorten
Si erdhi pasioni yt për sportin?
Në fakt, sporti ka qenë në AND-në time që i vogël, por pasioni i vërtetë ishte muzika. Doja të shkollohesha, pasi kisha talent e vesh të mirë. Por zhgënjimi im i parë ka nisur në moshën 7 vjeçare, kur nuk më regjistruan në shkollën e muzikës për arsye biografike. Pasi babai im bëri 3 muaj burg në kohën e diktaturës.
Konkurova për shkollën e baletit në Tiranë pasi kisha të dhëna perfekte plastike dhe kërcimi, e sërish më refuzuan. Por unë nuk iu ndava pasionit tim dhe kam bërë pjesë në të gjitha aktivitetet e Shtëpisë së Pionerit në Shkodër. Nga mosha 7 vjeçare deri në dhjetë vjeç, kam marrë pjesë në grupin e baletit ku kemi kërcyer në shumë e shumë aktivitete lokale, por edhe kombëtare.
Në të njëjtën kohë, jam marrë me sport, rreth moshës 12 vjeçare deri në 17 vjeç; me futboll, volejboll e atletikë.
Por në moshën 18 vjeçare ka nisur aktiviteti im zyrtar e me kohë të plotë në pasionin e vërtetë të jetës: atletikën.
Si nisi aktiviteti yt sportiv?
Me të rinjtë e Vllaznisë, nën kujdesin e trajnerit të shpejtësisë; të mirënjohurin dhe të talentuarin Isak Bala. Më këtë trajner jam stërvitur deri në vitin 1992. Ndërkohë një vit më pas kalova me trajnerin Xhulio Zefi. Në shtatorin e vitit 1993 jam regjistruar në Institutin e Lartë të Fiskulturës në Tiranë.
vajza dhe djali
Aty nisët si të themi karrierën zyrtare të nivelit të lartë?
Po tamam ashtu. Aty e nisa aktivitetin në pjekuri, falë edhe shefit të klubit “Studenti” Besim Rizvanolli, i cili më angazhoi në klubin më vital në Shqipëri që furnizonte me talente të gjithë klubet e vendit.
Rezultatet e para i dhashë në garën e 100 metrave, një garë klasike por e vështirë, gara e parë me ekipin e të rinjve, solli rezultatet
11 sekonda dhe 3 të qindat, në më pak se një vit stërvitje. Kategoria e të rriturve e kishte rezultatin 11’1.
Në një garë kombëtare në Korçë, në 100 metra me kronometër dore, jo me elektronikë, kam arritur rezultatin 10 sekonda e 9 të qindat.
Gjatë kësaj kohe isha pak prapa atletëve të mëdhenj: Niko Lara, Arben Maka e Oltion Luli.
Në vitin 1993 jam shpallur kampion në garën 400 metra me resultatiin 50’5. Njëkohësisht në 100 metra zbrita në 10’7.
Në shkurt të vitit 1994 mora medaljen e bronxtë në kampionatin ballkanik dhe për tre vjet kam qenë kampion kombëtar në 400 metra. Në vitin 1995, theva rekordin tim në 400 metra në kampionatin ballkanik në Greqi me kohën 50’68.
Pra Sokol ti u afirmove tashmë në aktivitetet ndërkombëtare?
Pikërisht, në vitin 1995 më jepet mundësia nga klubi “Studenti”, dhe për këtë falënderoj shumë shefin e klubit të asaj kohe, Besim Rizvanollin, që të shkoj ne Universiadën në Fukuoka- Japoni, ku arrita një kohë të mire në garën e 400 metërshit: 48’85 !
Viti 1996 nis me rrekorde, ku në Kampionatin Ballkanik në Greqi, theva dy rekorde brenda një ore në garën 400 metra: 48’85 dhe në 200 metra: 22’24.
Në pranverën e këtij viti, arrita rezultate të mira edhe në 100 metërsh, me 10 sekonda e 5 të qindat, duke iu afruar rekordit kombëtar që mbahej prej shumë vitesh nga superatleti Rifat Deliu: 10’4! Në këtë vit shpallem për herë të parë kampion kombëtar në 100 metra dhe 200 metra.
Por, po në vitin 1996 pësoj një traumë, ku për shumë trajnerë, karriera ime sportive u mbyll aty. Pata një tërheqje mjaft të ndërlikuar.
Por me ndimen e trainerit Besim Qyqja dhe doktorit të kombëtares Lluka Heqimi, rikthehem në pistë!
Madje në vitin 1997 u riktheva më i fortë se një vit më parë. Në kampionatin ballkanik të sallave të mbyllura theva rekordin tim në garën 200 metra dhe në garën 400 metra arrita kohën 49′ 70.
Po në këtë vit, barazova rekordin kombëtar në 100 metra: 10 sekonda e 4 të qindat. U bë shumë polemikë për atë rezultat, por atë pasdite arrita një rezultat tjetër: 10’3.
Po në ditën e dytë pritej një rekord në 200m, duhet pasur parasysh se kjo garë është shumë fortë dhe me tensione të larta, ku garonin dy rekordmenë shkodranë si: Ilir Xhani e Oltion Luli. Në fund nga euforia ngrita duart lart dhe nuk e theva dot rekordin 21’6.
Pas një muaji, në Lojrat Mesdhetare në Bari theva rekordin që mbahej nga rekordmeni Arben Makaj në 100 metra 10’72 me rezultat elektronik, jo me kronometër mekanik. Në Athinë, ku u mbajt kampionati ballkanik konfirmova gjendjen e mirë në garat e 100 dhe 200 metrave.
Pra gjithçka në rregull, karriera në ngjitje…
Ah, pikërisht në këtë kohë nis zhgënjimi i madh. Kur isha në kulmin e formës, Federata nuk më dërgoi në Kampionatin Botëror në Athinë. Unë kasha rezultatin më të mirë 10 sekonda e 3 të qindat në 100 metërsh dhe normalisht duhet të shkoja, por zotëronjtë e federatës nuk dëshironin që Sokol Shepeteja të bënte pjesë në grupin e 3-4 atletëve që përfaqësonin Shqipërinë, pasi unë nuk isha njëlloj me të tjerët…
Ç’doni të thoni me këtë?
Po un jam një njeri me ngjyrë dhe nuk duhet të ngrija flamurin kombëtar. Kam marrë një ofendim të tmerrshëm nga Sekretari i Federatës së Atletikës i asaj kohe, Fiqiri Guri. I kujtoj mirë fjalët: “Ti nuk je i denjë të marrësh pjesë në kampionat që të përfaqësosh kombin tonë”! u bënë procedurat se do të trajtohesha në mënyrë special edhe me rrogë. Por ma hoqën edhe këtë të drejtë. Më nxorën jashtë liste!
Pas këtij zhgënimi merr vendimin që të largohesh nga sporti?
Jo tamam, e jo plotësisht. Por si të thuash doja një profesion që më përafrohej. Më pëlqente shumë puna në polici e konkretisht në forcat speciale. Dhashë konkursin, fitova të gjitha normat dhe u pranova në Forcat elitë RENEA. Ku punova dhe u stërvita rregullisht. Më 20 janar të vitit 1998 u plagosa në një operacion në qytetin tim të lindjes-Shkodër, ku trupat tona mbështetën rikthimin e rendit publik pas djegies së komisariatit dhe vendosjes së pritave në hyrje të qytetit nga banda kriminelësh të armatosura.
Por, edhe pse i plagosur jam kthyer në pistë pas 12 ditësh. Këtu dua të falënderoj për ndihmën e madhe që më ka dhënë trajneri i Partizanit, i mirënjohuri Isa Tare, duke më dhënë mundësinë që të rigjenerohem në palestrën e klubit dhe u ktheva sërish kompetitiv. Në kampionatin kombëtar arrij rezultatin10’7 në 100 metërsh pas Oltion Lulit, ndërsa në 200 metërsh: 22’2 në vendin e tretë. Po në qershor, në Beograd arrij 10’82 në 100 m, pra vetëm 5 muaj nga plagosja.
Po si u largove nga Shqipëria?
Pas plagosjes në Shkodër kam qenë i kërcënuar unë dhe familja ime nga kriminelët që sulmuan komisariatin e më pas u veshën në polici. Askush nuk e mbrojti familjen time dhe ika, s’kisha rrugë tjetër…
Shkova në Itali ku jam stërvitur dhe përfaqësuar Atletica Ravenna. Më pas në Olimpus të San Marino-s, ku për 2 vjet kam zënë vende të dyta e të treta.
Kam 13 vjet që punoj si istruktor dhe trajner personal në palestra te klubi Ravenna -Imola Punova si përgatitës atletik për ekipet e tenisit dhe në skuadrat e Rugby! Ndërkaq, ka 3 vjet që bëj pjesë në një skuadër çiklizmi, dhe merrem me not çiklizëm dhe vrapim.
Koli, të mungon Shqipëria?
Shumë, veçanërisht Shkodra. Unë kam dy femijë: një vajzë e një djalë, përkatësisht 13 e 12 vjeçarë. Djali flitet nga trajnerët se do të jetë një talent në futboll. Shpresoj shumë të luajë një ditë me kombëtaren tonë shqiptare.
Por Shkodra më mungon shumë, aty kalova fëmijërinë, adoleshencën, vitet më të bukura të jetës sime. Plot 22 vjet, kam shokë e shoqe që edhe ata nuk janë më në Shkodër por të shpërndara nëpër botë. Lidhjet i mbaj e flasim me mall.
/tesheshi.com