Punonjësi i një pike bastesh që u gjet nga policia i lidhur në një pemë dhe që pretendoi se e kishin grabitur, u arrestua më vonë nga policia për deklarim të rremë. Në fakt, ai kishte humbur xhiron ditore të lotos në baste sportive dhe inskenoi të gjithë grabitjen.
Policia thotë se në momentet që ai telefonoi policinë, ndodhej i lidhur te pishat. Menjëherë me marrjen e informacionit, në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie të Komisariatit të Pukës si dhe grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Personi i cili telefonoi pas disa minutash kërkime u gjet i lidhur me tel me gjemba, i shtrirë në tokë.
Menjëherë është dhënë ndihma e parë këtij personi si dhe janë marrë masat për sigurimin e vendit të ngjarjes. Më pas personi u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë për t’i marrë kallëzim mbi ngjarjen e ndodhur.
Edison Kurtaliaj në kallëzimin e dhënë sqaron se pasi ka mbyllur lokalin rreth orës 23 .00 është nisur për në shtëpi dhe gjatë rrugës i kanë dalë para dy persona të panjohur ku i kishin marrë shumën prej 100 mijë lekë të reja dhe më pas e kishin lidhur me tel me gjemba.
Lekët ishin shumë e xhiros javore që ishte bërë në lokal. Fillimisht kjo ngjarje nga ana e policisë është trajtuar si vjedhje me dhunë. Menjëherë mbas marrjes së kallëzimit është këqyrur dhe sekuestruar kompjuteri ku bëheshin regjistrimet për lotot e hedhura.
Në bashkëpunim me prokurorinë u kryen një sërë veprimesh procedurale dhe hetimore, ku në përfundim të veprimeve të para hetimore si dhe nga tërësia e fakteve dhe provave të grumbulluara rezultoi se shtetasi Edison Kurtaliaj këtë ngjarje e ka improvizuar vetë ,nisur nga fakti se ka shpenzuar për llogari të tij shumën prej njëqind e tridhjetë mijë lekë të reja, fakt të cilin e ka pranuar edhe vetë. Sa më sipër nga ana e Specialistëve për Krimet në Komisariatin e Policisë Pukë u bë arrestimi në flagrancë Edison Kurtaliaj. Ndaj tij rëndon akuza e kallëzimit të rremë./Shekulli/