Gjërat po bëhen më keq për Huawei. Kompanisë i është ndaluar të jetë anëtar i SD Association, grupit përgjegjës për standartizimin e kartave SD dhe microSD.
Ndryshimi i statusit do të thotë se Huawei nuk mund të ofrojë më produkte me markën zyrtare SDA dhe do të përjashtohet nga vendosja e standardeve të reja.
SD Association konfirmoi se Huawei është larguar nga grupi në përgjigje të urdhrit ekzekutiv Amerikan. Javën e kaluar Departamenti Amerikan i Tregtisë ju ndaloi kompanive Amerikane të bëjnë biznes me Huawei dhe 70 filialet e saj.
Kompanisë i ndalohet të pranojë pajisje dhe teknologji por edhe financim pa aprovimin e qeverisë. Urdhri i ri i bashkohet ndalimit të nënshkruar nga presidenti Trump për përdorimin e pajisjeve të telekomunikacionit të Huawei nga operatorët celular dhe fiks në SHBA.
Huawei tha se konsumatorët do të mund të blejnë dhe përdorin karta SD me telefonët ekzistues por nuk dihet sesi ky vendim do të ndikojë tek telefonët dhe pajisjet e ardhshme të Huawei.
Ky i fundit është përpjekur të distancohet nga formati SD në favor të kartave të memories Nano.
Largimi nga SD Assocation është padyshim goditje e rëndë për Huawei por shumë e vogël krahasuar me ato të kompanive të tjera. Google ndaloi mbështetjen për Android ndërsa Intel, Qualcomm dhe AMD shkëputën furnizimin me çipe. /PCWorld Albanian