Huawei prezanton telefonin me kamër në mes të ekranit

E publikuar: 17/12/2018 14:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Huawei prezantoi ditën e sotme pas javësh të tëra spekulime dhe ngacmime nga vetë kompania, telefonin me kamër frontale jo në formën e një “notch” por e vendosur mu në mes të ekranit me rezolucion 25-megapiksel.

Ishte Samsung i pari që solli një telefon të tillë me Galaxy A8 javën e kaluar, megjithatë telefoni i Huawei ka një kamër frontale akoma edhe më të vogël.

Po javën e kaluar nënmarka Honor prezantoi View 20, një telefon shumë i ngjashëm me Nova 4. Përveç dizajnit që në industri njihet si “hole-punch” (vrimë në ekran), të dy telefonët kanë kamera të pasme 48-megapiksel.

Në fakt Nova 4 ka tre kamera të pasme dhe vjen me procesor Kirin 970 ndërsa modeli Honor i cili ende duhet të zbulohet në detaje ka procesor Kirin 980 dhe të njëjtin sistem kamerash të pasme.

Sa i përket Nova 4, ai vjen me ekran 6.4-inç 2310×1080, 8GB RAM, 128GB memorie, sensor të shenjave të gishtërinjve në kapakun e pasëm, karikues të shpejtë 18W përmes USB-C dhe bateri 3,750mAh.

Nova 4 do të kushtojë 490 dollarë ndërsa ekziston edhe një model më i lirë 450 dollarësh që zëvendëson kamerën 48 megapiksel me një 20 megapiksel. Pas debutimit në Kinë telefonin pritet të vijë edhe në Evropë. /PCWorld Albanian