Huawei prezantoi ditën e sotme flagshipin më të ri të komapnisë i pari me një çip të inteligjencës artificiale i cili do të ndihmojë prodhuesin Kinez të konkurrojë me liderët e këtij sektori, Apple dhe Samsung.
Huawei Mate 10 është një seri telefonësh të rangut të lartë ku përfshihen Mate 10, Mate 10 Pro dhe një edicion special Porsche Design Mate 10.
Disa prej veçorive kryesore të telefonëve janë:
- Ekran 5.9 inç për Mate 10 dhe 6 inç për Mate 10 Pro
- Kamër me dopjo lente Leica; 12 megapiksel dhe 20 megapiksel
- Bateri të madhe 4,000 mAh me teknologjinë e ngarkimit të shpejtë
- Sistemin operativ më të fundit të Google, Android 8.0
Por ajo që bie më së shumti në sy ishte procesori i ri Kirin 970 i cili përmban një çip të inteligjencës artificiale. Kirin 970 është prezantuar në Shtator ndërsa Mate 10 është telefoni i parë me këtë procesor.
Ai është në madhësinë e një gjurme gishti dhe mbështet inteligjencën artificiale në nivel pajisjeje. Kjo do të thotë se të dhënat nuk përpunohen në cloud për nga vetë telefoni duke përshpejtuar këtë proces.
Gjatë prezantimit të telefonit Huawei demonstroi sesi inteligjenca artificiale e Kirin 970 mund të njohë objektet thjeshtë duke drejtuar kamerën.
Kompania kineze pretendon se procesori mund të njohë 2005 imazhe në minutë. Gjithashtu Huawei thotë se seritë Mate 10 janë të parat që ofrojnë shpejtësi shkarkimi deri në 1.2Gbps mbi rrjetet celulare.
Modeli Mate 10 del në shitje në fund të Tetorit në më shumë se 15 vende të botës. Ndërsa Mate 10 Pro do të jetë gati në mesin e Nëntorit në 24 vende.
Mate 10 do të kushtojë 699 Euro ndërsa Mate 10 Pro 799 Euro. Modeli luksoz Porsche Design kushton 1,395 Euro. /PCWorld Albanian