HRW-ja: BE-ja t’i kërkojë Qeverisë të sigurojë votat për Specialen

E publikuar: 27/07/2015 08:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kultura e mosndëshkimit, mungesa e llogaridhënies dhe qasjes në drejtësi janë vetëm tri prej shqetësimeve kryesore që “Human Rights Watch” i ka kërkuar Komisionit Evropian të përfshijë në Raportin e Progresit për Kosovën, thuhet në uebfaqen e Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

BE-së i është kërkuar gjithashtu që në të – HRW-ja ka këshilluar KE-në për gjendjen në Bosnjë, Serbi e Kosovë – të kritikojë qeverinë për mungesë të zbatimit të strategjive për integrimin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, si dhe për “sulmet dhe kërcënimet” ndaj gazetarëve në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pavarësisht përparimit në vitet e fundit, mbetet i brishtë sistemi i drejtësisë në Kosovë, me siguri jo të duhur për gjyqtarët, stafin e gjykatës, prokurorët, paditësit dhe dëshmitarët”, thuhet në raportin këshillues të HRW-së, dërguar në fundjavë hartuesve të mekanizmit qeverisës të Bashkimit Evropian.

Raporti i Progresit publikohet çdo vit me vlerësimin dhe rekomandimet për gjendjen e përgjithshme të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në bllokun prej 28 anëtarësh.